Neni 10 - Dënimet plotësuese

1. Ndaj personave juridikë, që kanë përgjegjësi për kryerjen e veprës penale, bashkë me dënimin kryesor mund të jepen edhe një ose disa nga këto dënime plotësuese:
a) mbyllja e një ose më shumë veprimtarive apo strukturave të personit juridik;
b) vendosja e personit juridik në administrim të kontrolluar;
c) ndalimi për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike;
ç) heqja e së drejtës së marrjes ose përdorimit të licencave, autorizimeve, koncesioneve ose subvencioneve;
d) ndalimi për të kërkuar publikisht fonde dhe burime financiare;
dh) heqja e së drejtës së ushtrimit të një apo më shumë veprimtarive ose operacioneve;
e) detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.

2. Dënimet plotësuese, të parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “d” dhe “dh” të pikës 1 të këtij neni, nuk zbatohen për njësitë e qeverisjes vendore, personat juridikë publikë, partitë politike dhe sindikatat.

3. Dënimet plotësuese ekzekutohen së bashku me dënimin kryesor.

4. Gjykata, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 36 të Kodit Penal, vendos, në çdo rast, konfiskimin e mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe të produkteve të veprës penale.