TITULLI I - DISPOZITA TË ZBATUESHME PËR TREGTARIN DHE SHOQËRITË TREGTARE

  • Neni 1 - Objekti i ligjit, përkufizime, regjistrime të detyrueshme
  • 1. Ky ligj rregullon statusin e tregtarit, themelimin dhe administrimin e shoqërive tregtare, të drejtat dhe detyrimet e themeluesve, të ortakëve dhe aksionarëve, riorganizimin dhe likuidimin e shoqërive tregtare. Shoqëritë tregtare janë shoqëritë kolektive, shoqëritë komandite, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara dhe shoqëritë aksionare.

    2. Tregtarët dhe shoqëritë tregtare regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, të ndryshuar.

    3. Tregtarët dhe shoqëritë tregtare mbajnë libra kontabël, hartojnë e publikojnë të dhënat financiare dhe raportet për gjendjen e ecurisë së veprimtarisë, përfshirë dhe raportet e kontrollit të ekspertëve kontabël të autorizuar në përputhje me ligjin për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare.

    4. Nëse nuk parashikohet ndryshe, gjykata e përmendur në këtë ligj është seksioni tregtar i gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës, sipas dispozitave të neneve 334 deri në 336 të Kodit të Procedurës Civile.

    5. Dispozitat, që kërkojnë dhënie informacioni në faqen e shoqërisë në internet, mund të zbatohen nëpërmjet krijimit të një lidhjeje informatike të drejtpërdrejtë me faqen në internet, ku Qendra Kombëtare e Regjistrimit publikon informacionin për tregtarin apo shoqërinë përkatëse.

    6. Në kuptim të këtij ligji, shprehjet në njëjës përfshijnë ato në shumës e anasjelltas, me përjashtim të rastit kur sipas kontekstit të dispozitës rezulton ndryshe. Përemri vetor “ai” përfshin edhe përemrin vetor “ajo” dhe përemri vetor “atë” i nënkupton të dyja gjinitë, me përjashtim të rastit kur sipas kontekstit të dispozitës rezulton ndryshe.

  • Neni 2 - Tregtari
  • 1. Tregtari është personi fizik, sipas kuptimit të Kodit Civil, i cili ushtron veprimtari ekonomike të pavarur, që kërkon një organizim tregtar të zakonshëm.

    2. Personi fizik, i cili ushtron një profesion të pavarur (si avokat, noter, kontabilist, mjek, inxhinier, arkitekt, artist etj.), vlerësohet tregtar, nëse një ligj i posaçëm i ngarkon këtë status.

    3. Personi fizik, i cili ushtron veprimtari bujqësore, blegtorale, pyjore e të ngjashme, vlerësohet tregtar, nëse veprimtaria e tij përqendrohet kryesisht në përpunimin dhe shitjen e produkteve bujqësore, blegtorale, pyjore (agrobiznes).

    4. Personi fizik, veprimtaria ekonomike e të cilit, për shkak të vëllimit të tij, nuk kërkon një organizim të zakonshëm tregtar (tregtar i vogël), nuk vlerësohet tregtar e nuk i nënshtrohet këtij ligji. Ministri i Financave dhe ministri përgjegjës për ekonominë, me urdhër të përbashkët, miratojnë pragjet e vëllimit të veprimtarisë, në bazë të të cilave lind detyrimi i regjistrimit si tregtar.

    5. Tregtari regjistrohet sipas neneve 28 pika 1 dhe 30 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Nëse tregtari ka krijuar një faqe në internet, të gjitha të dhënat e njoftuara pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit publikohen në këtë faqe.

    6. Tregtari është i detyruar të ndjekë parimet e ndershmërisë profesionale, të zbatueshme në mjedisin tregtar, ku ai vepron. Tregtari, për detyrimet që rrjedhin nga veprimtaritë e ushtruara, përgjigjet personalisht me të gjithë pasurinë e të drejtat e tij të tashme dhe të ardhshme, përfshirë pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, pronësitë industriale e intelektuale, kreditë ndaj të tretëve e çdo të drejtë apo pasuri tjetër, vlera e të cilave mund të shprehet në para.

    7. Tregtari e humbet statusin e tij kur pushon ushtrimin e veprimtarisë ose kur është i detyruar ta pushojë atë. Në një rast të tillë ai çregjistrohet nga regjistri, në përputhje me nenet 48 deri në 53 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

  • Neni 3 - Shoqëritë tregtare
  • 1. Shoqëritë tregtare themelohen nga dy ose më shumë persona fizikë dhe/ose juridikë, që bien dakord për arritjen e objektivave ekonomikë të përbashkët, duke dhënë kontribute në shoqëri, sipas përcaktimeve në statutin e saj. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëritë aksionare mund të themelohen edhe vetëm nga një person fizik dhe/ose juridik (shoqëritë me ortak apo aksionar të vetëm).

    2. Shoqëritë tregtare duhet të regjistrohen sipas nenit 22 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, si dhe neneve në vijim, sipas formës përkatëse të shoqërisë tregtare.

    3. Shoqëritë tregtare fitojnë personalitetin juridik në datën kur kryhet regjistrimi i tyre në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Shoqëritë përgjigjen me të gjitha aktivet e tyre për detyrimet, që rrjedhin nga veprimtaritë e ushtruara.

  • Neni 4 - Emrat e regjistruar dhe emërtimet tregtare
  • 1. Tregtari dhe shoqëritë tregtare e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nën emrin e regjistruar.
    Emri i tregtarit është emri i tij, sipas nenit 5 të Kodit Civil, i regjistruar në përputhje me nenin 30 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Emri i shoqërisë tregtare duhet të jetë në përputhje me parashikimet e nenit 23 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

    2. Tregtari dhe shoqëritë tregtare mund të përdorin dhe emërtime tregtare, si dhe shenja të tjera dalluese të veprimtarisë dhe i regjistrojnë këto në përputhje me nenin 44 pika 1 shkronja “a” të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

    3. Emri i tregtarit ndiqet nga shtojca “tregtar i regjistruar” ose shkurtimi përkatës “TR”.
    Emri i shoqërisë kolektive duhet të ndiqet nga shtojca “shoqëri kolektive” ose shkurtimin “SHK”.
    Emri i shoqërisë komandite duhet të ndiqet nga shtojca “shoqëri komandite” ose shkurtimin “SHKM”. Emrat e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe të shoqërive aksionare përmbajnë shkurtimet, të cilat tregojnë se janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar “SHPK” ose shoqëri aksionare “SHA”.

  • Neni 5 - Transferimi i emrave dhe i përgjegjësisë
  • 1. Personi, të cilit i transferohet veprimtaria e një tregtari ose e një shoqërie tregtare, mund të vijojë të përdorë emrin e regjistruar apo shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë, me ose pa një shtesë, që tregon ndërrimin e pronësisë, nëse titullari i mëparshëm i veprimtarisë apo rashëgimtarët e tij e miratojnë këtë përdorim.

    2. Nëse emri i regjistruar apo shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë vijojnë të përdoren, titullari i ri i veprimtarisë trashëgon të gjitha detyrimet tregtare të titullarit të mëparshëm.
    Marrëveshjet, që përcaktojnë ndryshe nga sa më sipër, nuk mund t’i kundrejtohen palëve të treta, edhe nëse janë bërë publike, me përjashtim të rastit kur tregtari ose shoqëria provon se i treti ka pasur dijeni për marrëveshjen, apo në bazë të rrethanave të qarta nuk mund të mos kishte pasur dijeni për të.