Neni 1 - Objekti i ligjit, përkufizime, regjistrime të detyrueshme

1. Ky ligj rregullon statusin e tregtarit, themelimin dhe administrimin e shoqërive tregtare, të drejtat dhe detyrimet e themeluesve, të ortakëve dhe aksionarëve, riorganizimin dhe likuidimin e shoqërive tregtare. Shoqëritë tregtare janë shoqëritë kolektive, shoqëritë komandite, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara dhe shoqëritë aksionare.

2. Tregtarët dhe shoqëritë tregtare regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, të ndryshuar.

3. Tregtarët dhe shoqëritë tregtare mbajnë libra kontabël, hartojnë e publikojnë të dhënat financiare dhe raportet për gjendjen e ecurisë së veprimtarisë, përfshirë dhe raportet e kontrollit të ekspertëve kontabël të autorizuar në përputhje me ligjin për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare.

4. Nëse nuk parashikohet ndryshe, gjykata e përmendur në këtë ligj është seksioni tregtar i gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës, sipas dispozitave të neneve 334 deri në 336 të Kodit të Procedurës Civile.

5. Dispozitat, që kërkojnë dhënie informacioni në faqen e shoqërisë në internet, mund të zbatohen nëpërmjet krijimit të një lidhjeje informatike të drejtpërdrejtë me faqen në internet, ku Qendra Kombëtare e Regjistrimit publikon informacionin për tregtarin apo shoqërinë përkatëse.

6. Në kuptim të këtij ligji, shprehjet në njëjës përfshijnë ato në shumës e anasjelltas, me përjashtim të rastit kur sipas kontekstit të dispozitës rezulton ndryshe. Përemri vetor “ai” përfshin edhe përemrin vetor “ajo” dhe përemri vetor “atë” i nënkupton të dyja gjinitë, me përjashtim të rastit kur sipas kontekstit të dispozitës rezulton ndryshe.