Neni 4 - Emrat e regjistruar dhe emërtimet tregtare

1. Tregtari dhe shoqëritë tregtare e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nën emrin e regjistruar.
Emri i tregtarit është emri i tij, sipas nenit 5 të Kodit Civil, i regjistruar në përputhje me nenin 30 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Emri i shoqërisë tregtare duhet të jetë në përputhje me parashikimet e nenit 23 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

2. Tregtari dhe shoqëritë tregtare mund të përdorin dhe emërtime tregtare, si dhe shenja të tjera dalluese të veprimtarisë dhe i regjistrojnë këto në përputhje me nenin 44 pika 1 shkronja “a” të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

3. Emri i tregtarit ndiqet nga shtojca “tregtar i regjistruar” ose shkurtimi përkatës “TR”.
Emri i shoqërisë kolektive duhet të ndiqet nga shtojca “shoqëri kolektive” ose shkurtimin “SHK”.
Emri i shoqërisë komandite duhet të ndiqet nga shtojca “shoqëri komandite” ose shkurtimin “SHKM”. Emrat e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe të shoqërive aksionare përmbajnë shkurtimet, të cilat tregojnë se janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar “SHPK” ose shoqëri aksionare “SHA”.