strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

TITULLI II - THEMELIMI I SHOQËRISË TREGTARE

  • Neni 6 - Statuti
  • Statuti i shoqërisë tregtare përmban të dhënat e përcaktuara në nenet 32 deri në 36 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.
    Paragrafi i katërt i nenit 28 të ligjit të sipërpërmendur mbetet i zbatueshëm.

  • Neni 7 - Objekti i ligjshëm
  • Shoqëria tregtare mund të ushtrojë çdo veprimtari, e cila nuk ndalohet me ligj.

  • Neni 8 - Zyra qendrore
  • 1. Nëse nuk parashikohet ndryshe në statut, zyra qendrore e shoqërisë tregtare është vendi, ku zhvillohet pjesa kryesore e veprimtarisë së saj tregtare.

    2. Nëse zyra qendrore ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, shoqëritë tregtare u nënshtrohen dispozitave të këtij ligji.

  • Neni 9 - Degët dhe zyrat e përfaqësimit
  • 1. Personat përgjegjës për administrimin e shoqërisë mund të vendosin hapjen e degëve dhe/ose të zyrave të përfaqësimit të shoqërisë.

    2. Degët janë vende të ushtrimit të veprimtarisë tregtare dhe kanë të njëjtin personalitet juridik me shoqërinë. Ato veprojnë në mënyrë të qëndrueshme, organizohen dhe administrohen më vete dhe ushtrojnë veprimtari me palë të treta, në emër të shoqërisë.

    3. Zyrat e përfaqësimit janë vende të veprimtarisë tregtare të shoqërisë dhe kanë të njëjtin personalitet juridik me shoqërinë. Zyrat e përfaqësimit nuk kanë si qëllim krijimin e të ardhurave, por nxitjen e veprimtarisë së shoqërisë. Këto zyra mund të lidhin marrëveshje në emër e për llogari të saj.

    4. Nëse degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive shqiptare krijojnë faqe interneti, ato duhet të publikojnë numrin unik të identifikimit të shoqërisë në këtë faqe interneti.

    5. Degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja regjistrohen sipas kërkesave të neneve 26 pika 4, 28 pika 5 dhe 37 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

    6. Dega vepron nën emrin e regjistruar të shoqërisë tregtare, si dhe nën emrin e saj.

  • Neni 10 - Përgjegjësia e themeluesve
  • 1. Personat që veprojnë në emër të shoqërisë, përpara se kjo të fitojë personalitetin juridik, përgjigjen personalisht në mënyrë të pakufizuar e solidare për veprimet e kryera në emër të saj. Me fitimin e personalitetit juridik, të drejtat e detyrimet që rrjedhin nga këto veprime i kalojnë shoqërisë.

    2. Themeluesit japin kontributet e tyre në shoqëri, në para ose në natyrë, sipas mënyrave e afateve të parashikuara në statut dhe kryejnë formalitetet e themelimit sipas kërkesave të këtij ligji dhe të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Themeluesit përgjigjen ndaj shoqërisë personalisht e në mënyrë solidare për dëmet e shkaktuara nga mospërmbushja e këtyre detyrimeve apo nga përmbushja e tyre përtej afateve përkatëse.

    3. Përfaqësuesi ligjor i shoqërisë mund të ngrejë padi në gjykatën përkatëse për dëmin e shkaktuar nga mospërmbushjet e detyrimeve, sipas pikës 2 të këtij neni. Në rast mosveprimi të përfaqësuesit ligjor brenda 90 ditëve nga marrja dijeni e mospërmbushjes, padia mund të ngrihet përkatësisht nga një ortak i shoqërisë kolektive ose komandite, nga një numër ortakësh të një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar apo aksionarësh të një shoqërie aksionare, të cilët zotërojnë jo më pak se 5 për qind të tërësisë së votave në asamblenë e shoqërisë. Padia mund të ngrihet, gjithashtu, nga çdo kreditor i shoqërisë tregtare. Ortakët, aksionarët ose kreditorët duhet të respektojnë procedurat e neneve 91, 92, 150 e 151 të këtij ligji. Paditë duhet të ngrihen brenda 3 viteve pas regjistrimit të shoqërisë tregtare.

  • Neni 11 - Të dhënat në korrespondencat dhe dokumentet e tjera të veprimtarisë
  • 1. Të gjitha shkresat, formularët e urdhrave apo çdo dokument tjetër korrespondence, nxjerrë nga shoqëria, degët apo zyrat e përfaqësimit, nëpërmjet përdorimit të letrës ose mjeteve elektronike, të cilat u drejtohen palëve të treta, duhet të përmbajnë të dhënat e mëposhtme:
    a) numrin unik të identifikimit;
    b) formën ligjore të shoqërisë;
    c) vendndodhjen e selisë së regjistruar dhe të zyrës qendrore të saj;
    ç) të dhëna nëse shoqëria është në likuidim.
    Nëse shoqëria ka faqe interneti, këto të dhëna duhet të pasqyrohen aty. Edhe në këtë rast zbatohet pika 5 e nenit 1 të këtij ligji.

    2. Shoqëria përgjigjet për vërtetësinë e të dhënave të deklaruara sipas pikës 1 të këtij neni.
    Nxjerrja e shkresave, formularëve e urdhrave apo e çdo dokumenti tjetër korrespondence, në kundërshtim me pikën 1 të këtij neni, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë deri në 15 000 lekë. Kur kundërvajtja administrative e parashikuar në këtë pikë konstatohet gjatë një kontrolli të organizuar nga administrata tatimore, sanksioni ekzekutohet nga kjo administratë.