Neni 10 - Përgjegjësia e themeluesve

1. Personat që veprojnë në emër të shoqërisë, përpara se kjo të fitojë personalitetin juridik, përgjigjen personalisht në mënyrë të pakufizuar e solidare për veprimet e kryera në emër të saj. Me fitimin e personalitetit juridik, të drejtat e detyrimet që rrjedhin nga këto veprime i kalojnë shoqërisë.

2. Themeluesit japin kontributet e tyre në shoqëri, në para ose në natyrë, sipas mënyrave e afateve të parashikuara në statut dhe kryejnë formalitetet e themelimit sipas kërkesave të këtij ligji dhe të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Themeluesit përgjigjen ndaj shoqërisë personalisht e në mënyrë solidare për dëmet e shkaktuara nga mospërmbushja e këtyre detyrimeve apo nga përmbushja e tyre përtej afateve përkatëse.

3. Përfaqësuesi ligjor i shoqërisë mund të ngrejë padi në gjykatën përkatëse për dëmin e shkaktuar nga mospërmbushjet e detyrimeve, sipas pikës 2 të këtij neni. Në rast mosveprimi të përfaqësuesit ligjor brenda 90 ditëve nga marrja dijeni e mospërmbushjes, padia mund të ngrihet përkatësisht nga një ortak i shoqërisë kolektive ose komandite, nga një numër ortakësh të një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar apo aksionarësh të një shoqërie aksionare, të cilët zotërojnë jo më pak se 5 për qind të tërësisë së votave në asamblenë e shoqërisë. Padia mund të ngrihet, gjithashtu, nga çdo kreditor i shoqërisë tregtare. Ortakët, aksionarët ose kreditorët duhet të respektojnë procedurat e neneve 91, 92, 150 e 151 të këtij ligji. Paditë duhet të ngrihen brenda 3 viteve pas regjistrimit të shoqërisë tregtare.