Neni 11 - Të dhënat në korrespondencat dhe dokumentet e tjera të veprimtarisë

1. Të gjitha shkresat, formularët e urdhrave apo çdo dokument tjetër korrespondence, nxjerrë nga shoqëria, degët apo zyrat e përfaqësimit, nëpërmjet përdorimit të letrës ose mjeteve elektronike, të cilat u drejtohen palëve të treta, duhet të përmbajnë të dhënat e mëposhtme:
a) numrin unik të identifikimit;
b) formën ligjore të shoqërisë;
c) vendndodhjen e selisë së regjistruar dhe të zyrës qendrore të saj;
ç) të dhëna nëse shoqëria është në likuidim.
Nëse shoqëria ka faqe interneti, këto të dhëna duhet të pasqyrohen aty. Edhe në këtë rast zbatohet pika 5 e nenit 1 të këtij ligji.

2. Shoqëria përgjigjet për vërtetësinë e të dhënave të deklaruara sipas pikës 1 të këtij neni.
Nxjerrja e shkresave, formularëve e urdhrave apo e çdo dokumenti tjetër korrespondence, në kundërshtim me pikën 1 të këtij neni, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë deri në 15 000 lekë. Kur kundërvajtja administrative e parashikuar në këtë pikë konstatohet gjatë një kontrolli të organizuar nga administrata tatimore, sanksioni ekzekutohet nga kjo administratë.