Neni 9 - Degët dhe zyrat e përfaqësimit

1. Personat përgjegjës për administrimin e shoqërisë mund të vendosin hapjen e degëve dhe/ose të zyrave të përfaqësimit të shoqërisë.

2. Degët janë vende të ushtrimit të veprimtarisë tregtare dhe kanë të njëjtin personalitet juridik me shoqërinë. Ato veprojnë në mënyrë të qëndrueshme, organizohen dhe administrohen më vete dhe ushtrojnë veprimtari me palë të treta, në emër të shoqërisë.

3. Zyrat e përfaqësimit janë vende të veprimtarisë tregtare të shoqërisë dhe kanë të njëjtin personalitet juridik me shoqërinë. Zyrat e përfaqësimit nuk kanë si qëllim krijimin e të ardhurave, por nxitjen e veprimtarisë së shoqërisë. Këto zyra mund të lidhin marrëveshje në emër e për llogari të saj.

4. Nëse degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive shqiptare krijojnë faqe interneti, ato duhet të publikojnë numrin unik të identifikimit të shoqërisë në këtë faqe interneti.

5. Degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja regjistrohen sipas kërkesave të neneve 26 pika 4, 28 pika 5 dhe 37 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

6. Dega vepron nën emrin e regjistruar të shoqërisë tregtare, si dhe nën emrin e saj.