Neni 13 - Ndalimi, konflikti i interesit dhe personat e lidhur

1. Personat, që janë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprave penale, të parashikuara në kreun III të pjesës së posaçme të Kodit Penal, për një afat deri në 5 vjet nga data e këtij dënimi, nuk mund të mbajnë funksionet e përfaqësuesit ligjor të një shoqërie tregtare, nuk mund të jenë anëtarë të këshillit të administrimit apo të këshillit mbikëqyrës dhe as përfaqësues të aksionarëve në asamblenë e përgjithshme.

2. Personi i autorizuar për të përfaqësuar ose për të mbikëqyrur shoqërinë tregtare nuk mund të lidhë kontrata apo të hyjë në marrëdhënie të tjera me shoqërinë tregtare, nëse kjo nuk deklaron kushtet e veprimit, si dhe natyrën e objektin e interesit të tij e veprimi nuk autorizohet, paraprakisht, prej:
a) të gjithë ortakëve të tjerë, në rastin e një shoqërie kolektive apo komandite;
b) të gjithë ortakëve ose të gjithë ortakëve të tjerë, në rastin e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar;
c) këshillit të administrimit ose këshillit mbikëqyrës, në rastin e administratorëve të shoqërive aksionare;
ç) këshillit të administrimit ose këshillit mbikëqyrës, në rastin e anëtarëve të këshillit të administrimit ose këshillit mbikëqyrës në shoqëritë aksionare.
Çdo miratim paraprak dhe i përgjithshëm njoftohet për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

3. Miratimi i parashikuar në pikën 2 të këtij neni jepet, gjithashtu, për çdo kontratë apo marrëdhënie tjetër, që shoqëria lidh me një palë të tretë, e cila ka marrëdhënie personale apo financiare me personat e autorizuar për të përfaqësuar ose për të mbikëqyrur shoqërinë, apo me palë të treta, marrëdhëniet e të cilave me personat e mësipërm janë të tilla që, në mënyrë të arsyeshme, mund të ndikojnë vendimmarrjen e tyre në kundërshtim me interesat e shoqërisë. Personat në vijim prezumohen të kenë një apo më shumë nga interesat e mësipërm me personat e autorizuar për të përfaqësuar ose për të mbikëqyrur shoqërinë:
a)bashkëshorti/bashkëshortja, prindërit, vëllezërit ose motrat e bashkëshortit/ bashkëshortes;
b) fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrat, fëmijët e fëmijëve ose bashkëshorti/bashkëshortja e personave të mësipërm;
c) personat e lidhur me personin e autorizuar për të përfaqësuar ose për të mbikëqyrur shoqërinë. Persona të lidhur janë: të paralindurit apo të paslindurit, të afërmit në vijë të tërthortë të shkallës së dytë, birësuesi ose i birësuari, i afërmi i shkallës së parë i bashkëshortit/bashkëshortes;
ç) një person, që banon me personin e autorizuar për të përfaqësuar ose për të mbikëqyrur shoqërinë.

4. Personat, të cilët kërkojnë miratim për një transaksion, sipas pikave 2 e 3 të këtij neni, nuk mund të marrin pjesë në votimin për miratimin e veprimit e nuk llogariten në kuorum.

5. Aksionarët njoftohen për miratimin e dhënë sipas pikave 2 e 3 të këtij neni, si dhe për kushtet e veprimit e natyrën e objektin e interesit. Brenda 6 muajve nga njoftimi, asambleja mund t’i kërkojë gjykatës të shpallë veprimin juridik si të pavlefshëm, në rastet kur miratimi është dhënë me shkelje të rëndë të ligjit apo statutit. Dispozitat e nenit 151 të këtij ligji mbeten të zbatueshme.

6. Çdo veprim që kërkon miratim, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni, publikohet në pasqyrat financiare dhe raportet e ecurisë së veprimtarisë, së bashku me kushtet e veprimit, si dhe natyrën e objektin e interesit të personave të përfshirë.

7. Një person, i cili është, njëkohësisht, administrator dhe ortak apo aksionar i vetëm i shoqërisë, nuk mund të lidhë kontrata huaje apo garancie me shoqërinë. Kontratat e tjera të lidhura midis këtij personi dhe shoqërisë regjistrohen në një procesverbal, i cili bëhet në zyrën qendrore të shoqërisë. Mospërmbushja e këtij detyrimi përbën kundërvajtje administrative dhe administratori dënohet me gjobë deri në 15 000 lekë. Kur kundërvajtja administrative e parashikuar në këtë pikë konstatohet gjatë një kontrolli të organizuar nga administrata tatimore, sanksioni ekzekutohet nga kjo administratë.