strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

TITULLI V - PJESËMARRJA E PUNËMARRËSVE

  • Neni 19 - Këshilli i punëmarrësve
  • Punëmarrësit e një shoqërie tregtare, e cila ka më shumë se 50 punëmarrës, krijojnë këshillin e punëmarrësve, me mandat maksimal prej 5 viteve . Funksionet e një shoqërie tregtare, e cila ka mbi 20 punëmarrës, por më pak se 50, kryhen nga një përfaqësues, për çdo 10 punëmarrës, i cili zgjidhet me votim të fshehtë nga asambleja e punëmarrësve të shoqërisë. Asambleja e punëmarrësve zgjedh një përfaqësues të ri, për çdo 20 punëmarrës shtesë të shoqërisë. Në çdo rast, këshilli i punëmarrësve nuk mund të këtë më shumë se 30 anëtarë. Këshilli mund të nxjerrë rregullore të brendshme, për të organizuar procedurat e veta.

  • Neni 20 - Të drejtat dhe detyrimet e këshillit të punëmarrësve
  • 1. Këshilli i punëmarrësve monitoron zbatimin e ligjeve, të kontratave kolektive dhe dispozitave të statutit dhe përfaqëson interesat e punëmarrësve të shoqërisë. Këshilli merr pjesë në vendimmarrjen për shfrytëzimin e fondeve të posaçme dhe të aktiveve të tjera të shoqërisë, të parashikuara në kontratat kolektive dhe në statut, si dhe për shpërndarjen e pjesës së fitimeve, që asambleja e përgjithshme vendos t’ia shpërndajë punëmarrësve.

    2. Përfaqësuesi ligjor i shoqërisë e mban këshillin e punëmarrësve të informuar për veprimtaritë dhe ecurinë e shoqërisë tregtare e në mënyrë të veçantë për efektet e politikat e shoqërisë për kushtet e punës, pagat, sigurinë në punë, ndarjen e mundshme të fitimeve, ndryshimin e statusit, sistemin e pensioneve të shoqërisë, ristrukturimin dhe pjesëmarrjen e shoqërisë në shoqëri të tjera. Përfaqësuesi ligjor, me kërkesën e këshillit të punëmarrësve, paraqet gjendjen e llogarive, përfshirë llogaritë e konsoliduara, raportet për gjendjen e ecurisë së veprimtarisë së shoqërisë tregtare, raportet e këshillit mbikëqyrës apo të ekspertëve kontabël të autorizuar. Ky detyrim mund të përmbushet edhe duke e shpallur këtë informacion në faqen e internetit të shoqërisë tregtare dhe duke e informuar për këtë këshillin e punëmarrësve. Në të kundërt, mund të kërkohet që përgjigjet të jenë me shkrim, duke përdorur edhe mjete të komunikimit elektronik.

    3. Këshilli i punëmarrësve, gjithashtu, mund të informojë veten drejtpërdrejt për performancën e shoqërisë tregtare dhe të këqyrë librat e dokumentet e shoqërisë, duke u dhënë mendime dhe sugjerime organeve drejtuese për çështjet e përmendura në pikën 2 të këtij neni.
    Përfaqësuesi ligjor e informon këshillin e punëmarrësve për arsyet e mospranimit të mendimeve dhe të sugjerimeve të këtij këshilli.

    4. Statuti nuk mund ta pengojë apo kufizojë ushtrimin e të drejtave të përmendura në pikat 2 e 3 të këtij neni, me përjashtim të rasteve kur është rënë dakord ndërmjet përfaqësuesit ligjor dhe këshillit të punëmarrësve për një sistem ekuivalent informimi. Nëse përfaqësuesi ligjor nuk pranon të japë informacionet, sipas pikave 2 e 3 të këtij neni, këshilli i punëmarrësve, brenda 2 javëve pas refuzimit, mund t’i drejtohet gjykatës përkatëse për të marrë një vendim detyrues për informimin.

    5. Këshilli i punëmarrësve i raporton asamblesë së punëmarrësve të shoqërisë për veprimtaritë e veta të paktën dy herë në vit ose sa herë e kërkon shumica e punëmarrësve.

    6. Kostot e zgjedhjes dhe të funksionimit të këshillit mbulohen nga shoqëria tregtare.