strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

TITULLI III - MARRËDHËNIET NDËRMJET ORTAKËVE DHE TË TRETËVE

  • Neni 38 - Përfaqësimi i shoqërisë kolektive
  • 1. Secili ortak ka të drejtë të përfaqësojë shoqërinë në marrëdhënie me të tretët, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në statut.

    2. Nëse ortakët e përfaqësojnë shoqërinë bashkërisht, deklaratat, të cilat i drejtohen shoqërisë, mund t’i adresohen njërit prej ortakëve, me të drejtë përfaqësimi. Administratorët, të cilët kanë të drejtë ta përfaqësojnë shoqërinë në mënyrë të përbashkët, mund të autorizojnë disa prej tyre për kryerjen e disa veprimeve apo kategorive të caktuara veprimesh.

    3. Çdo përjashtim i ortakëve nga e drejta e përfaqësimit, çdo vendim për përfaqësim të përbashkët apo çdo ndryshim në të drejtat e një ortaku për përfaqësim njoftohen për regjistrim pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

  • Neni 39 - Njoftimi i dorëheqjes dhe heqja e të drejtave për përfaqësim
  • 1. Përfaqësuesi i shoqërisë mund të japë dorëheqjen nga detyrat e tij, nëpërmjet një njoftimi paraprak, dhënë në një kohë të përshtatshme dhe duke pasur parasysh mundësitë e përfaqësuesve të tjerë, për të vijuar veprimet e ndërmarra nga përfaqësuesi i dorëhequr.

    2. Ortakut mund t’i hiqet tagri i përfaqësimit me vendim të gjykatës përkatëse, me kërkesë të ortakëve të tjerë, veçanërisht në rastet e shkeljes së rëndë të detyrave të përfaqësimit apo të paaftësisë, për t’i përmbushur ato në mënyrë të rregullt.

  • Neni 40 - Përgjegjësia personale e ortakëve
  • 1. Ortakët përgjigjen personalisht e në mënyrë solidare për detyrimet e shoqërisë me të gjitha pasuritë e tyre. Çdo marrëveshje, në kundërshtim me këtë dispozitë, nuk prodhon efekte ndaj palëve të treta.

    2. Kreditori personal i ortakut mund të ekzekutojë kreditë, që ka ndaj këtij të fundit, duke ekzekutuar kreditë që ortaku ka ndaj shoqërisë, si dhe pjesën që ky ortak zotëron në shoqëri.
    Kreditori mund të kërkojë ekzekutimin e kredive, në përputhje me nenet 581 deri në 588 të Kodit të Procedurës Civile.

  • Neni 41 - Prapësimet
  • Nëse një kreditor ngre padi ndaj një ortaku për detyrimet e shoqërisë, atëherë ortaku mund të mbrohet duke ngritur ndaj kreditorit prapësime, që i përkasin personalisht ortakut, si dhe ato që i përkasin shoqërisë.

  • Neni 42 - Përgjegjësia e ortakut të ri
  • Personi, që fiton cilësinë e ortakut në një shoqëri kolektive ekzistuese, merr përsipër detyrimet e shoqërisë, përfshirë këtu edhe detyrimet që ekzistonin përpara se ai ta fitonte këtë cilësi.
    Çdo marrëveshje në kundërshtim me këtë dispozitë nuk prodhon efekte ndaj palëve të treta.