strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

TITULLI IV - PRISHJA E SHOQËRISË KOLEKTIVE DHE LARGIMI I ORTAKËVE

  • Neni 43 - Shkaqet e prishjes së shoqërisë
  • Shoqëria kolektive prishet:
    a) kur mbaron kohëzgjatja, për të cilën është themeluar;
    b) me vendim të ortakëve;
    c) me hapjen e procedurave të falimentimit;
    ç) me vendim gjykate;
    d) nëse nuk ka kryer veprimtari tregtare për dy vjet dhe nuk ka njoftuar pezullimin e veprimtarisë, sipas pikës 3 të nenit 43 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”;
    dh) në raste të tjera, të parashikuara në statut.

  • Neni 44 - Largimi i ortakut
  • Përveç rastit kur statuti parashikon ndryshe, ngjarjet e mëposhtme nuk kanë si pasojë prishjen e shoqërisë, por largimin e ortakut:
    a) vdekja e një ortaku;
    b) hapja e procedurave të falimentimit ndaj një ortaku;
    c) njoftimi i ortakut për largim nga shoqëria;
    ç) njoftimi i kreditorit personal të ortakut në rrethanat e përshkruara në nenin 46 të këtij ligji;
    d) vendim i ortakëve të tjerë;
    dh) raste të tjera të parashikuara në statut.

  • Neni 45 - Njoftimi i ortakut për largim nga shoqëria
  • Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në statut, nëse shoqëria është themeluar për një kohëzgjatje të papërcaktuar, secili ortak mund të largohet nga shoqëria, duke njoftuar me shkrim ortakët e tjerë 6 muaj përpara. Në raste të justifikuara mund të zbatohet një njoftim me afat më të shkurtër.

  • Neni 46 - Njoftimi nga kreditori personal i ortakut
  • Nëse kreditori personal i ortakut nuk ka arritur të ekzekutojë kreditë e tij ndaj këtij të fundit, në bazë të një vendimi gjyqësor, atëherë, brenda 6 muajve nga kërkesa, kreditori ka të drejtë t’i kërkojë shoqërisë likuidimin e pjesës që zotëron ortaku në shoqëri. Dispozitat e pikës 2 të nenit 40 të këtij ligji mbeten të zbatueshme edhe në këtë rast.

  • Neni 47 - Prishja e shoqërisë me vendim gjykate
  • Shoqëria mund të prishet me vendim gjykate për shkaqe të arsyeshme, në bazë të padisë së ngritur nga një ortak e, në mënyrë të veçantë, nëse njëri prej ortakëve, me dashje ose si pasojë e pakujdesisë së rëndë, nuk ka kryer detyrat e caktuara në statut, apo nëse kryerja e këtyre detyrave është bërë e pamundur.

  • Neni 48 - Përjashtimi i ortakut
  • Në rrethanat e parashikuara në nenin 47 të këtij ligji, gjykata, në bazë të padisë të ngritur nga një ortak, mund të vendosë të përjashtojë ortakun përgjegjës dhe të mos vendosë prishjen e shoqërisë.

  • Neni 49 - Ndarja e pjesës së ortakut që ikën
  • 1. Pjesa e secilit ortak, që largohet nga shoqëria kolektive, ndahet në mënyrë proporcionale ndërmjet ortakëve të mbetur, me përjashtim të rasteve kur largimi është pasojë e falimentimit, njoftimit të kreditorit apo për raste të tjera të parashikuara në statut. Ortakët e mbetur janë të detyruar t’i paguajnë ortakut të larguar, kreditorëve apo trashëgimtarëve të tij, në përputhje me rregullat e trashëgimisë, vlerën që ai do të kishte përfituar nëse shoqëria do të ishte prishur në çastin e daljes së tij, duke pasur parasysh edhe veprimet ende të papërfunduara.

    2. Nëse vlera e aktiveve të shoqërisë nuk është e mjaftueshme për të përballuar të gjitha detyrimet e saj, ortaku që largohet apo trashëgimtarët e tij, në përputhje me rregullat e trashëgimisë, përgjigjet për diferencën, në përpjesëtim me pjesën e humbjeve të shoqërisë, që i takojnë.

    3. Në rast përjashtimi, sipas nenit 48 të këtij ligji, ortakët mund të zbresin nga shuma e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, vlerën e dëmit të mundshëm, që shoqëria ka pësuar nga mospërmbushjet e ortakut.

  • Neni 50 - Procedura për rastet kur mbetet vetëm një ortak
  • 1. Kur, për çfarëdo arsye, shoqëria kolektive mbetet me një ortak të vetëm, atëherë ai është i detyruar që, brenda 6 muajve nga ngjarja e këtij fakti, të marrë masat e nevojshme për ta përshtatur shoqërinë me kërkesat e këtij ligji, apo në mënyrë alternative t’i kalojë veprimtarinë e saj një shoqërie të themeluar rishtazi, që pranon ekzistencën e një ortaku të vetëm ose të vazhdojë ushtrimin e veprimtarisë duke u regjistruar si tregtar.

    2. Nëse brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, ortaku i mbetur nuk regjistron një prej veprimeve si më sipër në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, shoqëria kolektive vlerësohet e prishur dhe likuidohet sipas dispozitave të këtij ligji. Çdo person i interesuar mund t’i drejtohet gjykatës për të konstatuar prishjen e shoqërisë.

  • Neni 51 - Vazhdimi i shoqërisë nga trashëgimtarët
  • 1. Shoqëria kolektive vazhdon ta ushtrojë veprimtarinë me trashëgimtarët e ortakut të vdekur, nëse lejohet në statut dhe pranohet nga trashëgimtarët.

    2. Trashëgimtarët mund të ushtrojnë të drejtën e përmendur në pikën 1 të këtij neni, brenda 30 ditëve nga data, në të cilën gjykata përkatëse, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, lëshon dëshminë e trashëgimisë.

  • Neni 52 - Regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit
  • Të gjithë ortakët janë të detyruar të njoftojnë Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për regjistrim, në përputhje me nenin 43 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, për aktet, faktet e prishjes dhe largimit të ortakëve.
    Nëse prishja bëhet me vendim gjykate, gjykata ia njofton vendimin Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për regjistrim, sipas nenit 45 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.