Neni 50 - Procedura për rastet kur mbetet vetëm një ortak

1. Kur, për çfarëdo arsye, shoqëria kolektive mbetet me një ortak të vetëm, atëherë ai është i detyruar që, brenda 6 muajve nga ngjarja e këtij fakti, të marrë masat e nevojshme për ta përshtatur shoqërinë me kërkesat e këtij ligji, apo në mënyrë alternative t’i kalojë veprimtarinë e saj një shoqërie të themeluar rishtazi, që pranon ekzistencën e një ortaku të vetëm ose të vazhdojë ushtrimin e veprimtarisë duke u regjistruar si tregtar.

2. Nëse brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, ortaku i mbetur nuk regjistron një prej veprimeve si më sipër në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, shoqëria kolektive vlerësohet e prishur dhe likuidohet sipas dispozitave të këtij ligji. Çdo person i interesuar mund t’i drejtohet gjykatës për të konstatuar prishjen e shoqërisë.