Neni 62 - Përgjegjësia e ortakëve të kufizuar

1. Ortaku i kufizuar përgjigjet personalisht ndaj kreditorëve të shoqërisë kolektive deri në vlerën e kontributeve të pashlyera. Ortaku i kufizuar nuk përgjigjet për detyrimet e shoqërisë, në rastin kur ka shlyer të gjitha kontributet e tij.

2. Rritja e paregjistruar e një kontributi të regjistruar prodhon efekte ndaj kreditorëve, vetëm nëse shoqëria ka njoftuar kreditorin për këtë rritje, ose nëse rritja është publikuar në mënyrë të zakonshme.

3. Marrëveshjet ndërmjet ortakëve, që përjashtojnë ortakun e kufizuar nga detyrimi për të shlyer kontributet, apo që shtyjnë afatin e shlyerjes së këtyre kontributeve, nuk prodhojnë efekte ndaj kreditorëve.

4. Zvogëlimi i kontributeve nuk prodhon efekte ndaj kreditorëve, për sa kohë ky zvogëlim nuk është regjistruar, me përjashtim të rastit kur kreditori kishte dijeni për këtë zvogëlim. Zvogëlimi i kontributeve, edhe nëse është i regjistruar, nuk prodhon efekte ndaj kreditorëve, detyrimet e të cilëve kishin lindur përpara regjistrimit të këtij zvogëlimi.

5. Nëse shoqëria i kthen ortakut të kufizuar kontributet e dhëna, ortaku i kufizuar përgjigjet ndaj kreditorëve sikur kontributi të mos ishte paguar ndonjëherë. I njëjti parim zbatohet edhe në rastet kur ortaku i kufizuar tërheq një pjesë të fitimit dhe pjesa e tij në shoqëri bëhet më e vogël se kontributi i marrë përsipër.

6. Ortaku i kufizuar nuk është i detyruar t’i kthejë fitimet, të cilat i ka marrë në mirëbesim, në bazë të pasqyrave financiare, të përgatitura në mirëbesim.