strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

TITULLI II - KUOTAT DHE KALIMI I KUOTAVE

  • Neni 72 - Zotërimi i kuotave
  • 1. Kuota e shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar mund të zotërohet nga një ose më shumë persona.

    2. Në rastin kur një kuotë e kapitalit të shoqërisë zotërohet nga më shumë se një person, në marrëdhënie me shoqërinë këta persona trajtohen si një ortak dhe të drejtat e tyre ushtrohen, nëpërmjet një përfaqësuesi të përbashkët. Këta persona përgjigjen personalisht dhe në mënyrë solidare për detyrimet që lindin nga zotërimi i kuotës.

    3. Personat që zotërojnë një kuotë të kapitalit të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar, merren vesh ndërmjet tyre për ndarjen e të drejtave e të detyrimeve, që rrjedhin nga kjo kuotë. Këto të drejta e detyrime mund të ndahen në mënyrë të barabartë ose jo.

    4. Veprimet e shoqërisë ndaj kuotës së zotëruar nga më shumë se një person krijojnë pasoja ndaj të gjithë zotëruesve të saj edhe nëse veprimi i shoqërisë i drejtohet vetëm njërit prej zotëruesve.

    5. Shoqëria tregtare mund të lëshojë një certifikatë për të vërtetuar zotërimin e kuotës së kapitalit. Kjo certifikatë lëshohet në emër të personit apo të personave, që zotërojnë kuotën dhe nuk përbën letër me vlerë.

    6. Nëse personat që zotërojnë një kuotë nuk arrijnë një marrëveshje, sipas pikës 3 të këtij neni, atëherë zbatohen dispozitat e Kodit Civil për bashkëpronësinë.

  • Neni 73 - Mënyrat e fitimit dhe kalimit të kuotave
  • 1. Kuotat e kapitalit të një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar e të drejtat që rrjedhin prej tyre mund të fitohen apo kalohen nëpërmjet:
    a) kontributit në kapitalin e shoqërisë;
    b) shitblerjes;
    c) trashëgimisë;
    ç) dhurimit;
    d) çdo mënyre tjetër të parashikuar me ligj.

    2. Në rastin e kalimit të kuotave me kontratë, kontrata duhet të bëhet me shkrim.

    3. Statuti mund të kushtëzojë kalimin e kuotave, veçanërisht duke përcaktuar miratimin e shoqërisë ose të drejtën e parablerjes në favor të shoqërisë apo të ortakëve të tjerë.

  • Neni 74 - Pasojat e kalimit të kuotave
  • 1. Personi që kalon kuotën dhe ai që e fiton atë përgjigjen në mënyrë solidare ndaj shoqërisë për detyrimet që rrjedhin nga zotërimi i kuotës, nga çasti i kalimit të kuotave, deri në çastin e regjistrimit të kalimit, sipas pikës 2 të këtij neni.

    2. Shoqëria regjistron kalimin e kuotës, sipas nenit 43 të ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Regjistrimi i kalimit të kuotave ka efekt deklarativ.

  • Neni 75 - Pjesëtimi i kuotave dhe transferimi i tyre
  • 1. Me përjashtim të rasteve kur kjo është e ndaluar nga statuti, kuotat mund të pjesëtohen për shkak të kalimit të tyre.

    2. Dispozitat e nenit 73 të këtij ligji për kalimin e kuotave zbatohen edhe për kalimin e pjesëve të kuotave.