Neni 72 - Zotërimi i kuotave

1. Kuota e shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar mund të zotërohet nga një ose më shumë persona.

2. Në rastin kur një kuotë e kapitalit të shoqërisë zotërohet nga më shumë se një person, në marrëdhënie me shoqërinë këta persona trajtohen si një ortak dhe të drejtat e tyre ushtrohen, nëpërmjet një përfaqësuesi të përbashkët. Këta persona përgjigjen personalisht dhe në mënyrë solidare për detyrimet që lindin nga zotërimi i kuotës.

3. Personat që zotërojnë një kuotë të kapitalit të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar, merren vesh ndërmjet tyre për ndarjen e të drejtave e të detyrimeve, që rrjedhin nga kjo kuotë. Këto të drejta e detyrime mund të ndahen në mënyrë të barabartë ose jo.

4. Veprimet e shoqërisë ndaj kuotës së zotëruar nga më shumë se një person krijojnë pasoja ndaj të gjithë zotëruesve të saj edhe nëse veprimi i shoqërisë i drejtohet vetëm njërit prej zotëruesve.

5. Shoqëria tregtare mund të lëshojë një certifikatë për të vërtetuar zotërimin e kuotës së kapitalit. Kjo certifikatë lëshohet në emër të personit apo të personave, që zotërojnë kuotën dhe nuk përbën letër me vlerë.

6. Nëse personat që zotërojnë një kuotë nuk arrijnë një marrëveshje, sipas pikës 3 të këtij neni, atëherë zbatohen dispozitat e Kodit Civil për bashkëpronësinë.