Neni 88 - E drejta e votës

1. Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në statut, çdo kuotë jep të drejtën e një vote.

2. Statuti mund të parashikojë për ortakët, që nuk janë të pranishëm, mundësinë e pjesëmarrjes në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme me mjete të ndryshme komunikimi, përfshirë mjetet elektronike, me kusht që të garantohet identifikimi i ortakëve.

3. Mjetet elektronike përfshijnë, por pa u kufizuar në to:
a) transmetimin e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme në kohë reale;
b) komunikimin e ndërsjellë në kohë reale, i cili u mundëson ortakëve të shprehen për mbledhjen e asamblesë së përgjithshme nga një vendndodhje tjetër;
c) mekanizma, që mundësojnë procesin e votimit, përpara apo gjatë mbajtjes së mbledhjes së asamblesë se përgjithshme, pa qenë nevoja të caktohet një përfaqësues i autorizuar, për të marrë pjesë fizikisht në mbledhje.

4. Përdorimi i mjeteve elektronike, për t’u mundësuar ortakëve të marrin pjesë në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme, bëhet me kushtin që të merren masat teknike të nevojshme për të garantuar identifikimin e ortakëve dhe sigurinë e komunikimeve elektronike, deri në atë masë që ky përdorim të jetë proporcional me arritjen e këtyre qëllimeve.

5. Ortakët kanë të drejtën, që u njihet nga ky ligj apo statuti, për të marrë unanimisht çdo vendim, me kusht që kjo marrëveshje të bëhet me shkrim.