Neni 92 - Shfuqizimi i vendimeve të parregullta dhe dëmshpërblimi

1. Asambleja e përgjithshme ka të drejtë t’i kërkojë gjykatës përkatëse shfuqizimin e vendimeve të administratorëve, kur këto përbëjnë shkelje të rëndë të ligjit ose të statutit.

2. Ortakët, të cilët përfaqësojnë të paktën 5 për qind të totalit të votave në asamblenë e shoqërisë, ose një vlerë më të vogël të parashikuar në statut, apo secili prej kreditorëve të shoqërisë mund t’i kërkojnë asamblesë së përgjithshme ngritjen e padisë si më sipër. Ortakët apo kreditorët e shoqërisë së përcaktuar më sipër, brenda 30 ditëve pas refuzimit nga asambleja për ngritjen e padisë, kanë të drejtë të ngrenë padi drejtpërdrejt përpara gjykatës kompetente për shfuqizimin e vendimit të administratorëve. Nëse asambleja e përgjithshme nuk merr një vendim, brenda 60 ditëve nga data e kërkesës, kërkesa e ortakëve apo kreditorëve vlerësohet e refuzuar.

3. Në rastet kur shoqëria ngre padi si më sipër, ajo merr pjesë në gjykim me anë të një përfaqësuesi të posaçëm, të caktuar nga asambleja e përgjithshme.

4. Ortakët ose kreditorët e përmendur në pikën 2 të këtij neni mund t’i kërkojnë gjykatës zëvendësimin e përfaqësuesit të posaçëm, kur ka dyshime të bazuara se përfaqësuesi i emëruar nga asambleja e përgjithshme mund të mos ngrejë e ndjekë padinë në interesin më të mirë të shoqërisë.
Nëse gjykata e pranon këtë kërkesë, kostot e emërimit dhe të shpërblimit të përfaqësuesit përballohen nga shoqëria.

5. Gjykata vendos shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit të administratorëve, nëse këta nuk merren vesh, me pajtim, me përfaqësuesin e posaçëm për korrigjimin e pasojave të vendimit, brenda 30 ditëve nga data e emërimit të këtij përfaqësuesi. Të drejtat e palëve të treta mbeten të pacenuara, në përputhje me pikën 3 të nenit 12 të këtij ligji.

6. Ortakët në pakicë dhe kreditorët e përcaktuar më sipër kanë të drejtat e parashikuara në pikat 2 e 4 të këtij neni, edhe në rastin kur asambleja e përgjithshme nuk merr vendim, ose refuzon të vendosë për kërkesën e tyre për ngritjen ndaj administratorëve të padisë, me objekt shpërblimin e dëmit të pësuar nga shoqëria, si vendim i paligjshëm, apo për ngritjen e padive të tjera që parashikon ky ligj ose statuti ndaj administratorëve apo ortakëve.

7. Dispozita e paragrafit të gjashtë të nenit 91 të këtij ligji zbatohet edhe për këto padi.