Neni 137 - Mënyra e thirrjes

1. Asambleja e përgjithshme thirret nëpërmjet një njoftimi me shkresë ose, nëse parashikohet nga statuti, me njoftim, nëpërmjet postës elektronike. Njoftimi me shkresë apo me mesazh elektronik dhe rendi i ditës u dërgohen të gjithë aksionarëve, jo më vonë se 21 ditë përpara datës së parashikuar për mbledhjen e asamblesë.

2. Ky njoftim duhet të përmbajë, gjithashtu:
a) emrin e shoqërisë, selinë e regjistruar, vendin dhe orën e mbledhjes së asamblesë;
b) një sqarim të hollësishëm të procedurave, që duhet të ndiqen nga aksionarët, për të marrë pjesë dhe votuar në asamble, e cila duhet të përfshijë:
i) të drejtat e aksionarëve, sipas nenit 139 të këtij ligji;
ii) procedurat e votimit me prokurë, formularë të posaçëm, për t’u përdorur gjatë votimit me prokurë dhe mjetet elektronike, me të cilat shoqëria do të pranojë njoftimin e përfaqësuesve të autorizuar;
iii) procedurat për votimin, me mjete elektronike apo me korrespondencë;
c) informacion për vendin e mënyrat për të marrë në formë të plotë dokumentet dhe projektvendimet e përcaktuara në pikat 1 e 2 të nenit 138 të këtij ligji;
ç) adresën e faqes së internetit të shoqërisë, ku mund të merret informacioni i përcaktuar në këtë nen. Njoftimi i thirrjes së mbledhjes së asamblesë së përgjithshme, së bashku me rendin e ditës, vendosen edhe në faqen e internetit të shoqërisë.

3. 21 ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen e asamblesë, përfshirë këtu ditën e mbledhjes, shoqëria duhet t’u vërë në dispozicion aksionarëve në faqen e saj në internet, të paktën informacionin vijues:
a) informacionin sipas pikave 1 e 2 të këtij neni;
b) numrin total të aksioneve dhe të drejtave të votës që u përkasin këtyre aksioneve në datën
e njoftimit të thirrjes së mbledhjes, përfshirë shumat totale për çdo kategori aksionesh, kur kapitali i shoqërisë ndahet në dy apo më shumë kategori aksionesh;
c) çdo dokument që do t’i vihet në dispozicion asamblesë së përgjithshme.

4. Në rastin kur shoqëria aksionare ka shumë aksionarë, thirrja e mbledhjes së asamblesë se përgjithshme mund t’u njoftohet aksionarëve edhe nëpërmjet botimit të informacioneve si më sipër në një gazetë të përditshme me shpërndarje në të gjithë vendin.