Neni 169 - Regjistrimi dhe publikimi i rritjes së kapitalit

1. Administratorët detyrohen të njoftojnë për regjistrim pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit vendimin për zmadhimin e kapitalit, në përputhje me nenin 43 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Vendimi publikohet edhe në faqen e internetit të shoqërisë tregtare.

2. Aplikimi për regjistrimin e vendimit të përmendur në pikën 1 të këtij neni shoqërohet me raportin e ekspertit të autorizuar, ku verifikohet vlera e kontributeve në natyrë, sipas nenit 113 të këtij ligji.

3. Pas realizimit të zmadhimit të kapitalit, administratorët i njoftojnë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit realizimin e këtij veprimi. Informacioni shoqërues duhet të përfshijë listën e personave, që kanë nënshkruar aksionet, së bashku me shumat e paguara. Kjo listë nënshkruhet nga administratorët.

4. Zmadhimi i kapitalit bëhet efektiv në datën e regjistrimit të realizimit të tij në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.