Neni 176 - Kushtet për zmadhimin e autorizuar të kapitalit

1. Statuti ose një vendim i asamblesë së përgjithshme për ndryshime në statut mund t’u japë administratorëve të drejtën për të kryer, brenda një afati 5-vjeçar nga regjistrimi i shoqërisë, zmadhim të kapitalit me emetim të aksioneve të reja, për një vlerë maksimale të përcaktuar (kapital i autorizuar). Vlera e zmadhimeve të autorizuara nuk mund të jetë më e madhe se gjysma e kapitalit të regjistruar të shoqërisë në datën në të cilën merret vendimi për zmadhimin e autorizuar.

2. Në statut mund të parashikohen kushte të tjera e, në veçanti, kushti që nëse administratorët vënë në zbatim autorizimin e zmadhimit, të gjitha ose disa nga aksionet e emetuara mund ose duhet t’u jepen punëmarrësve të shoqërisë apo punëmarrësve të shoqërive të tjera, pjesë të një grupi.