Neni 191 - Emërimi i likuiduesve

1. Në shoqëritë kolektive dhe komandite, likuidimi kryhet nga të gjithë ortakët apo nga një likuidues i emëruar në mënyrë unanime prej tyre. Në rastin kur një ortak ka më shumë se një trashëgimtar, trashëgimtarët emërojnë një përfaqësues të përbashkët. Nëse ortakët nuk i njoftojnë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit faktin se të gjithë ortakët do të jenë likuidues apo nuk emërojnë likuiduesin brenda 30 ditëve nga data e prishjes, atëherë çdo person i interesuar mund t’i drejtohet gjykatës për të caktuar një likuidues.

2. Në shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëritë aksionare, likuidimi kryhet nga likuiduesit e emëruar nga asambleja e përgjithshme. Nëse asambleja e përgjithshme nuk merr një vendim për emërimin e likuiduesve, brenda 30 ditëve pas prishjes, çdo person i interesuar mund t’i drejtohet gjykatës, për të caktuar një likuidues. Dispozitat e pikës 6 të nenit 91 të këtij ligji janë të zbatueshme edhe për këtë rast.

3. Çdo person i interesuar, sipas pikave 1 e 2 të këtij neni, ka të drejtë t’i kërkojë gjykatës zëvendësimin e likuiduesit, sipas vendimit të ortakëve, në përputhje me pikën 1 të këtij neni apo të asamblesë, në përputhje me pikën 2 të këtij neni, nëse paraqet arsye të mjaftueshme për të dyshuar se likuidimi i rregullt i shoqërisë mund të cenohet nga likuiduesit e emëruar si më sipër. Kërkesa duhet të depozitohet në gjykatë brenda 30 ditëve nga data e caktimit të likuiduesit.