Neni 35

(Ndryshuar pika 6 me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.625, datë 12.11.2001)

Për t’u regjistruar në listën e ekspertëve kontabël të autorizuar kandidati duhet të plotësojë këto kushte:
1. Të jetë shtetas shqiptar prej më shume se pesë vjetesh.
2. Të gëzojë të drejtat civile.
3. Të mos ketë pësuar asnjë dënim penal ose plotësues të natyrës që cenon ndershmërinë e tij.
4. Të jetë i moshës mbi 25 vjeç.
5. Të jetë titullar i diplomës së kërkuar, niveli i së cilës të jetë i barasvlershëm të paktën me diplomën universitare të shkencave ekonomike.
6. Të ketë kryer stazhin profesional prej tre vjetësh pranë një eksperti apo një shoqërie ekspertësh kontabël të autorizuar.
7. Të ketë kaluar me sukses provimin e aftësive profesionale, të organizuar bashkërisht nga Ministria e Arsimit dhe Instituti.
8. Të paraqitë garancitë e moralitetit dhe të ndershmërisë të gjykuara të mjaftueshme nga komisioni i regjistrimit.
Kandidatët që kanë diplomë të ekspertizës kontabël, përjashtohen nga kushtet e pikave 5, 6 dhe 7 të këtij neni.
Deri në dhjetor 2000, mund të përjashtohen nga kushti për stazhin profesional të parashikuar nga pika 6 më sipër, personat të cilët justifikojnë se:
• Gjatë të paktën dy vjeteve kanë qenë të angazhuar në kontrollin e llogarive në kuadrin e zgjidhjeve tranzitore të bëra me vendime të këshillit të Ministrave ose, kanë qenë të punësuar, asistentë apo bashkëpunëtorë tek shoqëri audite të huaja që operojnë në Shqipëri apo tek ekspertë kontabël të autorizuar vendas.
• Gjatë 3 vjetëve, duke filluar nga 1 janari 1994, kanë ushtruar një veprimtari profesionale që u ka mundësuar të fitojnë një përvojë të mjaftueshme në fushat financiare, kontabël dhe të kontrollit të llogarive.