strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KAPITULLI 8 - RREGULLAT E DENTOLOGJISË

  • Neni 51
  • Sigurimi i ruajtjes së pavarësisë dhe të nderit të institutit dhe dhënia e autoritetit të duhur veprimtarisë së anëtarëve të tij kërkon nga këta të fundit
    - kompetencë e ndërgjegje profesionale;
    - bindje dhe dinjitet;
    - pavarësi morale dhe materiale.
    Çdo anëtar i institutit duhet të bëjë përpjekje për zhvillimin e cilësive të mësipërme dhe zbatimin e tyre në çdo rast, duke vepruar në pajtim me traditat e vendit, me etikën profesionale dhe me dispozitat ligjore e nënligjore.
    Anëtari i institutit duhet të përpiqet të zgjidhë me pajtim çdo mosmarrëveshje me kolegët e tij, dhe, nëse nuk e arrin këtë, ai mund të verë në dijeni kryetarin e këshillit të drejtimit, i cili do të luajë rolin e arbitrit për një rregullim pajtues.

  • Neni 52
  • Një anëtar i institutit mund të përdorë në ushtrimin e profesionit deri në pesë punonjës të punësuar të caktuar për kontrollin ligjor të llogarive. Emrat e të punësuarve duhet t’i komunikohen paraprakisht dhe me shkrim kryetarit të këshillit të drejtimit të institutit. Stazhierët dhe të punësuarit për punë joprofesionale nuk përfshihen në numrin e mësipërm.
    Në rastin e shoqërive të ekspertëve kontabël të autorizuar, numri i të punësuarve për punë profesionale është në varësi të numrit të ekspertëve kontabël të autorizuar, ortakë të shoqërisë në kufijtë e treguar më sipër.

  • Neni 53
  • Një anëtar i institutit nuk mund të bashkëpunojë me një ekspert kontabël të autorizuar, ndaj të cilit është marrë një masë disiplinore që përmban ndalimin e ushtrimit të profesionit ose pezullimin e përkohshëm gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.

  • Neni 54
  • Veprimtaria e anëtarëve të institutit ose e shoqërive të njohura prej tij nuk mund t’i kushtohet në pjesën më të madhe një ndërmarrjeje të vetme, një grupi financiar ose vetëm një bashkësie interesash. Ky prag quhet i arritur kur shpërblimi që merret prej ekspertit ose shoqerise se eksperteve, tejkalon 50 për qind të të ardhurave të përgjithshme vjetore.
    Anëtari i institutit nuk mund të marrë pjesë në drejtim apo administrimin e më shumë se një shoqërie të ekspertëve kontabël të autorizuar të njohur nga instituti dhe që ushtron veprimtarinë e saj në Shqipëri.

  • Neni 55
  • Në kohën e emërimit dhe gjatë mandatit të ekspertit kontabël të autorizuar në një shoqëri, anëtari i institutit duhet të sigurohet që është i pavarur nga shoqëria dhe nga drejtuesit e saj dhe që asgjë nuk i sjell dëm pavarësisë dhe ndershmërisë së tij. Nëse ai çmon se është në një gjëndje që cënon pavarësinë dhe ndershmërinë e tij, duhet që t’i japë fund kësaj gjëndjeje ose duhet të japë dorëheqjen.

  • Neni 56
  • Përpara se të marrë në ngarkim një mision të ri, çdo ekspert kontabël i autorizuar duhet të informojë për këtë kryetarin e këshillit të drejtimit të institutit. Njoftimi bëhet me letër rekomande me kthim përgjigjeje. Në njoftim tregohet natyra e misionit, kushtet dhe normat e punës, kohëzgjatja e misionit, honoraret dhe mënyra e llogaritjes së tyre, si dhe emri i anëtarit të institutit që ka qenë më parë, kur ekziston një i tillë.
    Mosrespektimi i këtij detyrimi sjell pezullimin e përkohshëm nga ushtrimi i profesionit.
    Pezullimi vendoset nga komisioni i disiplinës, duke u mbështetur në ankimin e paraqitur nga kryetari i këshillit të drejtimit të institutit.

  • Neni 57
  • Çdo ndryshim në veprimtarinë e anëtarëve të institutit duhet t’i bëhet i ditur këshillit të drejtimit brenda dhjetë ditëve, përndryshe anëtari i interesuar rrezikon të ndëshkohet nga ana disiplinore.

  • Neni 58
  • (Ndryshuar me vendimin nr.625, datë 12.11.2001)

    Çdo anëtar i institutit duhet të krijojë për cdo çështje që ka në ngarkim një dosje të plotë që përmban identitetin e shoqërisë përkatëse, të drejtuesve të saj, si dhe të gjitha dokumentet e marra ose të përgatitura prej tij me rastin e ushtrimit të funksioneve të tij. Ai duhet të mbajë regjistrat profesionalë, në të cilët shënon punimet e ndryshme të kryera nga ai vetë ose nga të punësuarit e tij.
    Regjistrat profesionalë mbahen sipas shoqërive që ai kontrollon dhe përmbajnë të paktën datën, kohëzgjatjen dhe natyrën e punimeve të kryera, identitetin e bashkëpunëtorëve dhe të dhëna të tjera që mundësojnë kontrollin e mëvonshëm të punimeve të kryera prej tij. Këshilli i Drejtimit organizon një herë në vit, në kohën dhe sipas modaliteteve të përcaktuara nga ai vetë, kontrollin për mbajtjen e regjistrave profesionalë dhe të dosjeve nga ekspertët kontabël të autorizuar.
    Mosmbajtja si duhet e dosjeve dhe e regjistrave profesionalë nga ekspertët kontabël të autorizuar ndëshkohet me ndalim të përkohshëm të ushtrimit të profesionit për një periudhë kohe deri në gjashtë muaj. Kjo masë merret nga Këshilli i Drejtimit. Në rast përsëritjeje, çështja i përcillet komisionit të disiplinës, i cili vepron sipas procedurave të parashikuara në kapitullin 9 të këtyre rregullave.

  • Neni 59
  • Anëtari i institutit, i kërkuar nga një klient për të zëvendësuar një ekspert kontabël të autorizuar tjetër, mund ta pranojë misionin vetëm pasi të jetë informuar me shkrim nga ky i fundit dhe pasi të jetë siguruar që kërkesa nuk rrjedh nga dëshira e klientit për të shmangur efektet e kryerjes rigoroze të detyrave profesionale nga ana e paraardhësit, siç janë këmbëngulja për të nxjerrë në shesh të vërtetën, për të respektuar veten dhe për të kërkuar respektimin e ligjeve në punët e tij.
    Ai duhet të mënjanojë çdo kritikë personale ndaj paraardhësit.
    Para se të hyjë në funksion, ai duhet të ketë marrë një dokument që përligj pagimin e honorareve paraardhësit të tij, kur kjo rezulton nga një marrëveshje qartësisht e përcaktuar, ose kur i përgjigjet tabelës së hartuar nga instituti për punimet e kryera dhe kur zbatimi i punimeve nga paraardhësi nuk është kundërshtuar nga klienti. Nëqoftëse nuk është kështu, ai mund të fillojë funksionin e tij, pasi t’ia ketë referuar çështjen kryetarit të këshillit të drejtimit dhe të ketë shfaqur rezervat e nevojshme pranë klientit të tij.

  • Neni 60
  • Anëtarëve të institutit u ndalohet të kërkojnë klientelë me anë të zbatimit të tarifave të ulëta, të akordimit klientëve ose të tretëve zbritje nga honoraret, të kryerjes së veprimeve me karakter pazarllëku në çfarëdo forme që të jetë, qoftë personalisht, qoftë nëpërmjet personave të tjerë, për llogari të tyre ose për llogari të të tretëve. Atyre u ndalohet gjithashtu të bëjnë konferenca që kanë karakter publikimi.

  • Neni 61
  • Anëtarët e institutit janë të pavarur nga administratat shtetërore, por duhet të kenë me to raporte mirësjelljeje dhe të veprojnë me ndershmëri të plotë në marrëdhëniet profesionale me përfaqësuesit e këtyre administratave.

  • Neni 62
  • (Ndryshuar me vendimin nr.625, datë 12.11.2001)

    Anëtarët e institutit janë të detyruar të paguajnë një kuotë profesionale të caktuar nga asambleja e përgjithshme, e cila përcakton gjithashtu datën kufi të pagimit. Regjistrimi në listën e hartuar sipas nenit 45 përmban detyrimin për pagimin e kuotës për të gjithë vitin paraardhës. Për shoqëritë e huaja, kuota profesionale të caktohet nga Ministri i Financave, sipas të njëjtave kritere të përcaktuara dhe për shoqëritë vendase.

  • Neni 63
  • Anëtarët e institutit janë përgjegjës për aktet e tyre profesionale. Përgjegjësia e shoqërive të ekspertëve kontabël të njohura nga instituti nuk zëvendëson përgjegjësinë personale të çdo eksperti kontabël ndaj institutit, për shkak të punimeve që ai kryen për llogari të shoqërive dhe që duhet të dalë nga nënshkrimi i tij personal, si dhe nga viza e nënshkrimi i shoqërisë.

  • Neni 64
  • Ekspertet kontabël të autorizuar duhet të kenë një qendër të përhershme vendosjeje, e cila të dihet nga këshilli i drejtimit të institutit dhe nga klientët.

  • Neni 65
  • Në rast vdekjeje të një anëtari të institutit, kryetari i këshillit të drejtimit mundet, me kërkesë të trashëgimtarëve të tij, të caktojë një anëtar të institutit që të administrojë përkohësisht kabinetin e tij, duke përcaktuar edhe kushtet e administrimit.

  • Neni 66
  • Çdo ekspert kontabël i autorizuar ose shoqëri e tyre që punëson personel të kualifikuar duhet të marrë në ngarkim stazhierë per ekspert kontabel, të sigurojë formimin e tyre profesional dhe t’i shpërblejë për punën që kryejnë.
    Ekspertët kontabël stazhierë duhet të përmbushin detyrimet e stazhit dhe të punës, të thellojnë njohuritë profesionale, të jenë të bindur e të denjë për profesionin dhe t’i nënshtrohen çdo kontrolli nga ana e institutit për qëndrimin dhe punën e tyre.
    Një ekspert kontabël stazhier nuk mund të pranojë një mision të propozuar nga një klient, me të cilin ka qenë në marëdhënie me rastin e stazhit, nëse nuk kanë kaluar dy vjet nga mbarimi i stazhit, duke përjashtuar rastin kur këshilli i drejtimit është i një mendimi për një mision të tillë.