VENDIM Nr.288, datë 5.6.1995 - PËR PRIVATIZIMIN E SË DREJTËS SHTETËRORE NË SHOQËRITË TREGTARE ME KAPITAL TË PËRBASHKËT

Me propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave,
Këshilli i Ministrave VENDOSI:

1. Privatizimi i së drejtës shtetërore në shoqëritë tregtare me kapital të përbashkët kryhet duke u mbështetur në Kodin Civil, ligjin nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare” dhe në aktet e themelimit të shoqërive tregtare.

2. Përcaktimi i vlerës së kapitalit shtetëror gjatë procesit të privatizimit të kuotës që zotëron shteti në shoqërinë tregtare bëhet nëpërmjet ankandit.
Vlera minimale e shitjes së kuotave nuk do të jetë më e vogël se vlera e kontributeve të palës shtetërore të vendosura në momentin e themelimit të shoqërisë dhe më pas.

3. Privatizimi i së drejtës shtetërore për çdo shoqëri tregtare me kapital të përbashkët kryhet me miratim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të Ministrisë së Financave. Procedurat për realizimin e shitjes të së drejtës shtetërore kryhen nga AKP, pas marrjes së miratimit nga Këshilli i Ministrave.

4. Procesi parapërgatitor i shqyrtimit dhe përcaktimit të listave të shoqërive tregtare që do të futen në procesin e privatizimit, do të bëhet nga një grup ekspertësh të prëcaktuar nga Kryetari i Këshillit të Ministrave.

5. Publikimi për shitje i pjesës shtetërore bëhet në organet e specializuara ndërkombëtare ose të vendit, sipas përcaktimit për çdo rast nga Këshilli i Ministrave.

6. Shlyerja e detyrimit nga blerësi i së drejtës shtetërore bëhet në lekë.

7. Ministria e Financave dhe AKP nxjerrin udhëzimin përkatës për zbatimin e këtij vendimi.

8. Ndalohet e drejta e përfaqësuesve shtetërorë në shoqëritë e përbashkëta për të ndryshuar përqindjen e kapitalit shtetëror.
Të ndërpriten procedurat për prishjen e njëanshme të kontratave nga ana e partnerit shtetëror.

9. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.232, datë 24.5.1994 “Për privatizimin e së drejtës shtetërore në ndërmarrjet e përbashkëta” dhe pika 6 e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.93, datë 28.2.1994 “Për bashkimin e së drejtës shtetërore në ndërmarrjet e përbashkëta me ortakë të tjerë”, shfuqizohen.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE Aleksandër Meksi
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.23, faqe 1019