VENDIM Nr.537, datë 1.8.2007 - PËR RREGULLAT PËR EMRAT DHE EMËRTIMET TREGTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3 të nenit 23 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm do të kenë këtë kuptim:
a) “Emri i personit juridik” është emri me të cilin personi juridik (përfshirë degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja) është regjistruar në regjistrin tregtar, pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (në vijim QKR).
b) “Emërtimi i personit juridik” është emërtimi tregtar i personit juridik (përfshirë degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja), që përdoret në kursin e tregut, e që mund të jetë i ndryshëm nga emri me të cilin është regjistruar në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, që mund të jetë pjesë ose akronim i emrit të regjistruar, i njoftuar vullnetarisht, në përputhje me shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 44 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.
c) “Emri i personit fizik” është emri me të cilin individi është regjistruar në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, në kuptim të nenit 5 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.
ç) “Emërtimi i personit fizik” është emërtimi tregtar i personit fizik, regjistruar në regjistrin tregtar pranë QKR-së, (sipas kërkesave të nenit 9 të ligjit nr.7632, datë 4.11.1992), që përdoret prej tij në kursin e tregut, i njoftuar vullnetarisht, në përputhje me shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 44 të ligjit për QKR-në.
d) “Emërtimi i shoqërisë së thjeshtë” është emërtimi tregtar, që përdoret nga shoqëria e thjeshtë në kursin e tregut, e regjistruar në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, i njoftuar vullnetarisht, në përputhje me shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 44 të ligjit për QKR-në.
dh) “Shenjat dalluese të veprimtarisë” janë shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë së subjektit, të regjistruara në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, që njoftohen vullnetarisht, në përputhje me shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 44 të ligjit për QKR-në. Shembuj të këtyre shenjave dalluese janë:
(i) markat e paregjistruara, tabelat (përfshi këtu elementet figurative, që dallojnë një veprimtari franchising);
(ii) domain name (emri i domain-it në internet); (iii) logoja e simbolet e tjera, të përdorura gjatë ushtrimit të një veprimtarie ekonomike tregtare nga një subjekt i regjistruar e që dallojnë mallrat, shërbimet ose vendin e ushtrimit të kësaj veprimtarie.
e) “Markë e regjistruar” është marka tregtare ose e shërbimit, në kuptim të dispozitave të ligjit nr.7819, datë 27.4.1994 “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, e regjistruar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave dhe Markave, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
ë) “Karakter dallues”, është elementi grafik, gjuhësor apo i një natyre tjetër, që dallon mjaftueshëm emrin e personit juridik, emërtimin e tij, emërtimin e personit fizik, të shoqërisë së thjeshtë, markën e regjistruar ose çdo shenjë tjetër dalluese të veprimtarisë (sipas përcaktimeve të këtij neni) të një subjekti të regjistruar në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, alternativisht në krahasim me emrin, emërtimin apo me shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë së një subjekti tjetër.
Karakteri dallues mungon kur përdorimi i një emri, emërtimi apo i një shenje tjetër dalluese mund të sjellë paqartësi për publikun.
f) “Emër i njëjtë” është emri i një personi, juridik apo fizik, të regjistruar në regjistrin tregtar pranë QKR-së, i cili është i njëjtë me emrin e një subjekti tjetër, të regjistruar.
g) “Emër i ngjashëm” është emri i një personi, juridik apo fizik, të regjistruar në regjistrin tregtar pranë QKR-së, i cili nuk ka karakter dallues, në krahasim me emrin e një subjekti tjetër, të regjistruar.
gj) “Emërtim i njëjtë” është emërtimi i një personi juridik, i një personi fizik e i një shoqërie të thjeshtë (që njoftohet vullnetarisht, në përputhje me shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 44 të ligjit për QKR-në), i cili është i njëjtë me emrin, emërtimin apo me shenjat e tjera dalluese të një subjekti tjetër, të regjistruar.
h) “Emërtim i ngjashëm” është emërtimi i një personi juridik, i një personi fizik e i një shoqërie të thjeshtë (që njoftohet vullnetarisht, në përputhje me shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 44 të ligjit për QKR-në), i cili nuk ka karakter dallues në krahasim me emrin, emërtimin apo me shenjat e tjera dalluese të një subjekti tjetër, të regjistruar.
i) “Shenjë dalluese e njëjtë” është shenja dalluese, sipas përcaktimit të kësaj pike, që njoftohet vullnetarisht, në përputhje me shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 44 të ligjit për QKR-në, e cila është e njëjtë me emrin, emërtimin apo me shenjat e tjera dalluese të një subjekti tjetër, të regjistruar.
j) “Shenjë dalluese e ngjashme” është shenja dalluese, sipas përcaktimit të këtij neni, që njoftohet vullnetarisht, në përputhje me shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 44 të ligjit për QKR-në, e cila nuk ka karakter dallues në krahasim me emrin, emërtimin apo me shenjat e tjera dalluese të një subjekti tjetër, të regjistruar.

2. Ndalohet regjistrimi në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, i personave juridikë, përfshirë degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja, të cilët aplikojnë për regjistrim fillestar, duke deklaruar një emër, të njëjtë apo të ngjashëm, me emrin e regjistruar apo të rezervuar më parë nga një subjekt tjetër.
I njëjti ndalim zbatohet edhe në rastin e ndryshimit të emrit të personit juridik apo të rezervimit të emrit, në përputhje me dispozitat e ligjit për QKR-në.

3. Ndalimi, i parashikuar në pikën 2 të këtij vendimi, nuk zbatohet në rastin kur titullari i ligjshëm i emrit të regjistruar apo të rezervuar më parë autorizon me shkrim, regjistrimin e emrit, që kërkohet të regjistrohet. Në këtë rast, emrit i shtohet një element me karakter dallues.

4. Ndalohet regjistrimi në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, i personave juridikë, përfshirë degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja, të cilët aplikojnë për regjistrim fillestar, duke deklaruar një emër, që mund të cenojë apo që është në kundërshtim me rendin publik, të tillë si emra që mund të nxisin apo përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, dhunën, emra që mund të prishin ekuilibrin shoqëror, që garanton dhe mbron tërësinë e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e tij territoriale, drejtësinë shoqërore, rendin kushtetues, pluralizmin, identitetin kombëtar, trashëgiminë kombëtare, bashkëjetesën fetare e etnike, si dhe emra që bien në kundërshtim me rendin publik, në çdo kuptim tjetër, që mund t’i jepet këtij termi nga legjislacioni në fuqi.
I njëjti ndalim zbatohet edhe në rastin e ndryshimit të emrit të personit juridik apo të rezervimit të emrit, në përputhje me dispozitat e ligjit për QKR-në.

5. Ndalohet regjistrimi në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, i personave juridikë, përfshirë degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja, të cilët aplikojnë për regjistrim fillestar, duke deklaruar një emër, që mund të cenojë apo që është në kundërshtim me moralin publik, kuptuar si tërësia e vlerave morale e shoqërore të popullit shqiptar, të respektit ndaj dinjitetit njerëzor e familjes, emra me karakter fyes e të turpshëm, si dhe emra, që bien në kundërshtim me moralin publik, në çdo kuptim tjetër, që mund t’i jepet këtij termi nga legjislacioni në fuqi.
I njëjti ndalim zbatohet edhe në rastin e ndryshimit të emrit të personit juridik apo të rezervimit të emrit, në përputhje me dispozitat e ligjit për QKR-në.

6. Ndalohet regjistrimi në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, i personave juridikë, përfshirë degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja, të cilët aplikojnë për regjistrim fillestar, duke deklaruar, për efekt regjistrimi, emra në trajtën e shquar apo akronimet përkatëse, të shteteve, qyteteve, krahinave gjeografike, organizatave ndërkombëtare, fetare apo institucioneve të pushtetit, qendror a vendor, pa shtesa me karakter dallues.

7. Ndalohet regjistrimi në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, i personave juridikë, përfshirë degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja, të cilët aplikojnë për regjistrim fillestar, duke deklaruar një emër, që, shprehimisht, ndalohet nga një dispozitë urdhëruese e ligjit.

8. Ndalimet e përcaktuara në pikat 6 e 7 të këtij vendimi, zbatohen dhe në rastin e ndryshimit të emrit të personit juridik apo për rezervimin e emrit, në përputhje me dispozitat e ligjit për QKR-në.

9. Ndalimet, e përcaktuara në pikën 6 të këtij vendimi, nuk zbatohen në rastin kur titullari i institucionit ka dhënë me shkrim, miratimin për përdorimin e emrit dhe emrit, që kërkohet të regjistrohet, i është shtuar një element me karakter dallues.

10. Personi fizik regjistrohet në regjistrin tregtar, pranë QKR-së, me emrin dhe mbiemrin e plotë, që rezulton nga dokumentet e identifikimit.

11. Për miratimin e aplikimit për regjistrim, ndryshim apo rezervim të emrit të personit juridik, nëpunësi i autorizuar i QKR-së:
a) verifikon, në bazën e të dhënave elektronike të QKR-së, nëse emri, që kërkohet të
regjistrohet apo rezervohet, është i njëjtë apo i ngjashëm me emrat e regjistruar apo të rezervuar më parë nga një subjekt tjetër dhe vlerëson, në bazë të rezultatit të kërkimit, karakterin dallues të emrit, që kërkohet të regjistrohet apo të rezervohet;
b) verifikon nëse emri i personit juridik, që kërkohet të regjistrohet apo rezervohet, bie në
kundërshtim me ndalimet e përmendura në pikat 4 deri 9 të këtij vendimi.

12. Nëse pas verifikimeve, nëpunësi i autorizuar i QKR-së vëren se emri i personit juridik, që kërkohet të regjistrohet ose rezervohet, është i njëjtë me emrin e një personi fizik, të regjistruar më parë, është i njëjtë apo pa karakter dallues me emrin e një personi juridik, të regjistruar apo rezervuar më parë, ose bie në kundërshtim me ndalimet e përcaktuara në pikat 4 deri 9 të këtij vendimi, brenda afatit të parashikuar në nenin 55 të ligjit për QKR-në, vendos që emri të mos regjistrohet apo rezervohet dhe vepron në përputhje me vendimin nr.506, datë 1.8.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurat e regjistrimit dhe të publikimit në QKR”. Nëse këto vërehen gjatë shqyrtimit të aplikimit për rezervim emri, QKR-ja refuzon menjëherë regjistrimin.

13. Kur emri i personit juridik, që kërkohet të regjistrohet ose rezervohet, është i njëjtë me emrin e një personi fizik, të regjistruar më parë, QKR-ja pranon regjistrimin kur personi fizik i interesuar ka dhënë me shkrim, miratimin për përdorimin e emrit. Në këtë rast, emrit të personit
juridik, që kërkohet të regjistrohet, i shtohet një element me karakter dallues. Autorizimi me shkrim nuk nevojitet, kur regjistrimi apo rezervimi i emrit kryhet nga vetë personi fizik, i interesuar.

14. Ndaj vendimit të QKR-së, subjekti, të cilit i është refuzuar regjistrimi i emrit, ka të drejtë të ankohet, në rrugë administrative, brenda afateve ligjore, në përputhje me dispozitat e ligjit për QKR-në dhe Kodin e Procedurave Administrative.
Ndaj vendimit përfundimtar të ankimit në rrugë administrative, ky subjekt, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile e brenda afateve ligjore, mund të ankohet në rrugë gjyqësore.

15. Çdo person i interesuar, në përputhje me ligjin për QKR-në dhe Kodin e Procedurave Administrative, ka të drejtë, brenda afateve ligjore, të ankohet, në rrugë administrative ndaj vendimit të QKR-së, për regjistrimin e emrit të personit juridik në shkelje të dispozitave të pikave 2 deri 9 të këtij vendimi.
Ndaj vendimit përfundimtar të ankimit në rrugë administrative, personi i interesuar, brenda afateve, mund të ankohet në rrugë gjyqësore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.

16. Ndalohen njoftimi dhe botimi nga regjistri tregtar i emërtimeve apo shenjave të tjera dalluese të veprimtarisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, të cilat mund të cenojnë apo të jenë në kundërshtim me rendin publik, të tilla si emërtime apo shenja, që mund të nxisin a përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, dhunën, emërtime apo shenja, që mund të prishin ekuilibrin shoqëror, që garanton dhe mbron tërësinë e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e tij territoriale, drejtësinë shoqërore, rendin kushtetues, pluralizmin, identitetin kombëtar, trashëgiminë kombëtare, bashkëjetesën fetare e etnike, si dhe emërtime apo shenja, që bien në kundërshtim me rendin publik, në çdo kuptim tjetër, që mund t’i jepet këtij termi nga legjislacioni në fuqi.

17. Ndalohen njoftimi dhe botimi nga regjistri tregtar, pranë QKR-së, i emërtimeve apo shenjave të tjera dalluese të veprimtarisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, të cilat mund të cenojnë apo mund të jenë në kundërshtim me moralin publik, kuptuar si tërësia e vlerave, morale e shoqërore, të popullit shqiptar, të respektit ndaj dinjitetit njerëzor e të familjes, emra me karakter fyes e të turpshëm, ose çdo kuptim tjetër, që mund t’i jepet këtij termi nga legjislacioni në fuqi.

18. Ndalohen njoftimi dhe botimi nga regjistri tregtar, pranë QKR-së, i emërtimeve apo shenjave të tjera dalluese të veprimtarisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, të cilat ndalohen, shprehimisht, nga një dispozitë urdhëruese e ligjit.

19. QKR-ja, për pranimin e aplikimit për publikim të emërtimit apo shenjave dalluese, sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 44 të ligjit për QKR-në, verifikon nëse emërtimi apo shenjat dalluese bien në kundërshtim të dukshëm me ndalimet e përcaktuara në pikat 16 deri 18 të këtij vendimi.

20. Nëse nëpunësi i autorizuar, pas verifikimeve të sipërpërmendura, vëren se emërtimi apo shenjat dalluese bien në kundërshtim me rregullat e parashikuara në pikat 16 deri 18 të këtij vendimi, QKR-ja refuzon publikimin.

21. Subjekti, të cilit i është refuzuar publikimi i emërtimit apo i shenjave, ka të drejtë, që, brenda afateve ligjore, të ankohet në rrugë administrative ndaj vendimit, në përputhje me dispozitat e ligjit për QKR-në dhe të Kodit të Procedurave Administrative.
Ndaj vendimit përfundimtar të ankimit në rrugë administrative, subjekti, brenda afateve ligjore, mund të ankohet në rrugë gjyqësore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.

22. Çdo person i interesuar, në përputhje me dispozitat e ligjit për QKR-në dhe të Kodit të Procedurave Administrative, ka të drejtë të ankohet, brenda afateve ligjore, në rrugë administrative, ndaj vendimit të QKR-së për publikimin e emërtimit apo të shenjave dalluese, në shkelje të dispozitave të pikave 16 deri 18 të këtij vendimi, si dhe në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, mund të ankohet, brenda afateve ligjore, në rrugë gjyqësore ndaj vendimit përfundimtar të ankimit në rrugë administrative.

23. Gjatë përcaktimit të përputhshmërisë së emrit, emërtimit apo shenjave dalluese, QKR-ja kryen vlerësimin e përputhshmërisë së emrit, emërtimit apo shenjave, duke marrë parasysh tërësinë e tyre.

24. Regjistrimi i emrit të personit juridik i jep subjektit të drejtën ta përdorë atë në kursin e tregut, si dhe të pengojë përdorimin e tij, në mënyrë të padrejtë, nga të tretët.

25. Regjistrimi i emrit të personit juridik nuk përbën pengesë për regjistrimin nga të tretët të një shenje të ngjashme apo të njëjtë me të, si markë tregtare apo shërbimi, përveç rastit kur, në përputhje me legjislacionin për pronësinë industriale, përdorimi i emrit në kursin e tregut ka efekt pengues ndaj këtij regjistrimi.

26. Çdo person i interesuar mund të kërkojë, në rrugë gjyqësore, ndalimin e përdorimit apo çregjistrimin e emrit të personit juridik, nëse ai cenon të drejtën e emrit, sipas nenit 5 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.

27. Çdo person i interesuar mund të kërkojë, në rrugë gjyqësore, ndalimin e përdorimit apo çregjistrimin e emrit të personit juridik, nëse ai cenon një të drejtë, sipas legjislacionit për të drejtën e autorit.

28. Çdo person i interesuar, në bazë të nenit 638 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë e të dispozitave, që rregullojnë pronësinë industriale, mund të kërkojë, në rrugë gjyqësore, ndalimin e përdorimit apo çregjistrimin e emrit të personit juridik, nëse ai cenon një markë të regjistruar më parë apo emrat, emërtimet tregtare e shenjat dalluese të përdorura ligjërisht më parë nga të tretët (pavarësisht publikimit të tyre në regjistrin tregtar, sipas ligjit për QKR-në).

29. Çdo person i interesuar mund të kërkojë, në rrugë gjyqësore, ndalimin e përdorimit apo çregjistrimin e emrit të personit juridik, nëse ai, sipas legjislacionit në fuqi, cenon një të drejtë tjetër të të tretëve.

30. Publikimi i emërtimit apo i shenjave dalluese të veprimtarisë, të njoftuar vullnetarisht, sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 44 të ligjit për QKR-në, ka efekt deklarativ.

31. Çdo person i interesuar, në përputhje me nenin 638 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, me dispozitat, që rregullojnë pronësinë industriale dhe të drejtën e autorit, e në rastet e parashikuara prej këtyre dispozitave a dispozitave të tjera ligjore, ka të drejtë të ankohet, në rrugë gjyqësore, ndaj përdorimit të paligjshëm në kursin e tregut të emërtimit apo të shenjave dalluese të veprimtarisë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI Sali Berisha
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.116, faqe 3327