VENDIM Nr.855, datë 17.12.2004 - PËR ADMINISTRIMIN E TË ARDHURAVE NGA SHITJA E AKTIVEVE TË QËNDRUESHME, TË TRUPËZUARA TË SHOQËRIVE ANONIME, ME KAPITAL THEMELTAR TËRËSISHT SHTETËROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 22 e 23 të ligjit nr.7512, datë 10.8.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, veprimtarive të pavarura dhe privatizimit”, të ndryshuar, të nenit 10 të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar dhe të nenit 164 të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë,
Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Shitja e aktiveve të qëndrueshme, të trupëzuara të shoqërive anonime, me kapital themeltar tërësisht shtetëror, kur ato nuk i shërbejnë më veprimtarisë së tyre, të realizohet me ankand, në lekë, nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit:
a) Për pasuritë e luajtshme, miratimi i privatizimit të kryhet nga organi që i administron ato.
b) Për objektet ndërtimore, miratimi i privatizimit të bëhet nga Ministri i Ekonomisë.
Ministri i Ekonomisë në urdhrin për privatizimin e objektit, pjesë e kapitalit të shoqërisë tregtare urdhëron kryerjen e veprimeve në regjistrin tregtar, për zvogëlimin e kapitalit të shoqërisë.
Procedura për kryerjen e veprimeve në regjistrin tregtar për zvogëlimin e kapitalit të shoqërisë, për objektet ndërtimore, dosjet e vlerësimit të të cilave, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndodhen në Ministrinë e Ekonomisë dhe në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit, të bëhet pas nënshkrimit të kontratës së shitjes.

2. Procedurat e vlerësimit dhe të shitjes të realizohen në përputhje me vendimin nr.159, datë 13.3.2003 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet, si dhe për procedurat e shitjes”.

3. Të ardhurat e përfituara:
a) nga shitja e pasurive të luajtshme të ndahen si më poshtë vijon:
- 5 për qind për llogari të Agjencisë Kombëtare të Privatizimit;
- 95 për qind për llogari të shoqërisë anonime;
b) nga shitja e objekteve ndërtimore të shoqërive anonime me kapital themeltar tërësisht shtetëror të ndahen si më poshtë vijon:
- 5 për qind për llogari të Agjencisë Kombëtare të Privatizimit;
- 10 për qind për llogari të Ministrisë së Ekonomisë; 85 për qind për llogari të Buxhetit të Shtetit.

4. Regjistrimet për shitjet e aktiveve të qëndrueshme, të trupëzuara, si veprim me efekt në rezultatin e shoqërisë anonime, të bëhen në përputhje me ligjin nr.9228, datë 29.4.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.

5. Vendimi nr.417, datë 9.7.1998 i Këshillit të Ministrave “Për administrimin e të ardhurave nga shitja e aktiveve të qëndrueshme, të trupëzuara, të shoqërive anonime, me kapital themeltar tërësisht shtetëror”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI Fatos Nano
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.102, faqe 6806