VENDIM Nr.93, datë 28.2.1994 - PËR BASHKIMIN E NDËRMARRJEVE SHTETËRORE NË SHOQËRITË TREGTARE ME ORTAKË TË TJERË

(Ndryshuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.466, datë 3.10.1994, nr.130, datë 20.3.1995 dhe nr.288, datë 5.6.1995)

(I përditësuar)
Me propozimin e Ministrisë së Industrisë dhe të Tregtisë, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

1. Ndërmarrjet, institucionet ose njësitë e tjera shtetërore, buxhetore ose jobuxhetore, që në vijim të këtij vendimi do të emërtohen “ndërmarrje”, të cilat kanë propozuar të bashkohen në një shoqëri tregtare me ortakë të tjerë, duhet të paraqesin në organin nga varen, përkatësisht në ministrinë ose institucionin tjetër qendror, ARN, bashkësinë ekonomike dhe organet e pushtetit lokal, këto dokumente:
- studim tekniko-ekonomik;
- projektkontratë;
- projektstatut;
- identiteti i ortakëve;
- kredibiliteti bankar i ortakëve;
- dokumentet e plota të vlerësimit të kontributeve.
Organet nga varet ndërmarrja duhet të paraqesin, së bashku me mendimin e tyre, dokumentet e parashikuara më sipër në Bordin e Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, i cili është i vetmi organ që jep miratimin për bashkimin e ndërmarrjeve në shoqëri tregtare me ortakë të tjerë.
Ndërmarrjet mund të bashkohen vetëm në ato shoqëri tregtare ku shteti si ortak përballon humbjet deri në kurifin e vlerës së kontributit të tij në kapitalin themeltar.

2. Në rastet kur ndërmarrjet kryejnë veprimtarinë degë me rëndësi të veçantë për ekonominë kombëtare, ministria, institucioni tjetër qendror, ARN-ja, bashkësia ekonomike, ose organet e pushtetit lokal, ia përcjellin mendimin e tyre për miratim Këshillit të Ministrave.
Degë me rëndësi të veçantë të ekonomisë kombëtare janë ato që përcaktohen në nenin 3 të ligjit nr.7512, datë 10.8.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”.
2/a Ministria e Burimeve Minerare dhe Energjetike miraton bashkimin e ndërmarrjeve dhe bashkësive ekonomike të sistemit të saj në shoqëri tregtare në rastet e mëposhtme:
a) Për mineralet e grupit të dytë, të tretë (përveç qymyreve dhe bitumeve) dhe të katërt të përcaktuara në tabelën shoqëruese të ligjit minerar të Shqipërisë nr.7796, datë 17.2.1994.
b) Për të gjitha veprimtaritë në sektorin e naftës e të gazit, me përjashtim të rasteve kur bashkësia ekonomike Albpetrol merr pjesë në një shoqëri tregtare:
- për kërkimin dhe zbulimin e vendburimeve të naftës e të gazit;
- për nxjerrjen e naftës e të gazit, si dhe rehabilitimin e vendburimeve ekzistuese të naftës e të gazit;
- për përpunimin e naftës;
- për bashkëpunimin në fushën e gjeologjisë për kërkimin e naftës.

3. Organet nga varen ndërmarrjet, para se të vendosin bashkimin e tyre në një shoqëri tregtare me ortakë të tjerë, marrin mendimin e ministrive ose institucioneve të tjera qendrore të interesuara e të organeve të specializuara për identitetin a kredibilitetin bankar të ortakëve, si dhe për çështje të tjera të krijimit të shoqërisë tregtare. Organet shtetërore, të cilave u është kërkuar mendimi për çështjet e mësipërme, janë të detyruara të përgjigjen jo më vonë se 15 ditë nga marrja e kërkesës, pavarësisht se cili është mendimi i tyre, përfshirë edhe pamundësinë për të dhënë mendim.

4. Organi përkatës që ka vendosur për bashkimin e ndërmarrjes në shoqërinë tregtare me ortakë të tjerë, ka atributet e ortakut në këtë shoqëri në kuptimin e ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, dhe në vijim të këtij vendimi do të emërtohet “ortaku shtetëror shqiptar”.
Ortakët, përfaqësuesit e tyre, shoqëria tregtare etj. duhet të zbatojnë edhe sa vijon:
- Përfaqësuesi i ortakut shtetëror shqiptar emërtohet nga ky i fundit, i cili ka edhe të drejtën e shkarkimit me një vendim të motivuar. Ata mund të riemërohen.
- Ortaku shtetëror shqiptar duhet që për çdo shoqëri tregtare të caktojë ekspertë kontabël të autorizuar, në marrëveshje me ortakët e tjerë.
- Përfaqësuesi i ortakut shtetëror shqiptar duhet t’i paraqesë ortakut, periodikisht dhe detyrimisht në mbyllje të çdo viti, raport për veprimtarinë ekonomnike e financiare të shoqërisë, të verifikuar e kontrolluar nga ekspertët kontabël të autorizuar si më sipër.
- Shteti nuk financon humbjet e shoqërive tregtare me ortak shtetëror shqiptar, përveçse me ligj, me përjashtim të rasteve të veçanta që kanë të bëjnë me subvencionimin e çmimeve të kontrolluara sipas miratimit të Këshillit të Ministrave.
- Shteti nuk përgjigjet për detyrimet e shoqërisë tregtare me pjesëmarrjen e ortakut shtetëror shqiptar, ndaj të tretëve.
Çdo kontratë e marrëveshje ndërmjet shoqërisë tregtare me ortakun shtetëror shqiptar, nga njëra anë, dhe ortakëve e punonjësve të tjera të së njëjtës shoqëri trgtare është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj ose akte nënligjore, si dhe kur ortaku shtetëror shqiptar bie dakord.
- Përfaqësuesi i ortakut shtetëror shqiptar është përgjegjës individualisht ndaj shtetit, ndaj 109 shoqërisë tregtare dhe ndaj çdo personi të tretë për çdo shkelje që ai i bën legjislacionit në fuqi, si dhe për dëmet që mund t’i sjellë shoqërisë tregtare si pasojë e veprimtarisë së tij.

5. Dividenti që rezulton nga shoqëritë tregtare me ortak shtetëror shqiptar, ndahet mes ortakëve të shoqërisë në përputhje me përcaktimin në aktet e themelimit të saj, sipas kontributeve në kapitalin themeltar e çdo formë tjetër.
Dividenti që i takon ortakut shtetëror shqiptar, derdhet në buxhetin e shtetit.

6. Shfuqizuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.288, datë 5.6.1995.

7. Kërkesat dhe rregullat e përcaktuara në këtë vendim janë të detyrushme të përfshihen në aktet e themelimit të shoqërive tregtare, që do të krijohen me bashkim me ndërmarrjet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

8. Të gjitha aktet nënligjore dhe dispozitat e tjera që bien në kundështim me këtë vendim, shfuqizohen.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE Aleksandër Meksi
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.5, faqe 277