strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

UDHËZIM Nr.114, datë 1.11.2005 - PËR SHOQËRITË ANONIME “NË LIKUIDIM E SIPËR” ME KAPITAL TËRËSISHT SHTETËROR

Në zbatim të nenit 102 pika 4 e Kushtetutës dhe ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, seksioni i V “Likuidimi”, ligji nr.7926, datë 20.04.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare” i ndryshuar, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me cilësinë e aksionarit të vetëm të shoqërisë,

UDHËZON:

1. Me hyrjen në fuqi të vendimit të shpalljes në likuidim të shoqërisë anonime, procedurat e likuidimit do të bëhen në përputhje me dispozitat e ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, kreu VI “Dispozita të përbashkëta për të gjitha format e shoqërive”, seksioni V “Likuidimi”.

2. Shoqëria është në likuidim nga momenti i daljes së urdhërit të zotëruesit të vetëm të kapitalit të shoqërisë. Operacionet e likuidimit kryhen nga likuidatori, i cili përfaqëson shoqërinë dhe ka për objekt mbylljen e llogarive (shkarkimin nga llogaritë të vlerave kontabël) dhe çregjistrimin e shoqërisë nga Regjistri Tregtar me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.

3. Me kalimin e shoqërisë në likuidim hartohet bilanci i likuidimit, i cili verifikohet dhe vërtetohet nga eksperti kontabël i autorizuar. Bilanci për efekt likuidimi miratohet nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shërben si pikënisje për operacionet e likuidimit.

4. Me shpalljen e shoqërisë në likuidim, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme do të shiten nga likuidatori i shoqërisë nëpërmjet ankandit, duke përdorur publikimin. Njoftimi për shitje publikohet në tri gazeta me qarkullim kombëtar. Periodiciteti i njoftimeve të jetë 3 herë brenda 15 ditëve.
Në çdo ankand për shitjen e pasurisë, pjesë e komisionit të tij të jetë përfaqësuesi i ministrisë (METE), si përfaqësues i pronarit shtet. Hartimi i procesverbalit të ankandit të evidentojë komisionin e ankandit, konkurruesit në ankand dhe shpalljen e fituesit. Me pagesën e plotë të vlerës së objektit në të cilën përfshihet dhe 20% i TVSH-së, lidhet kontrata e shitjes së objektit. Kontrata të përcaktojë qartë detyrimet e palëve, pagimin e taksave dhe aktin e dorëzimit të objektit. Pas çdo ankandi të raportohet në ministri, si përfaqësuese e pronarit të pronës shtetërore mbi realizimin e tij.
Raporti të shoqërohet me dokumentacionin përkatës.

5. Vlera fillestare e ankandit për shitjen e aktiveve të shoqërisë të jetë vlera kontabël e bilancit të shoqërisë në likuidim, e cila i përgjigjet kapitalit të nënshkruar në vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, dhe të regjistruar pranë Regjistrit Tregtar, si dhe të gjitha vendimet për 134 ndryshimet e kapitalit të marra nga Gjykata dhe që janë depozituar në Regjistrin Tregtar.
Kur nuk realizohet shitja me vlerat e kontabilitetit procedohet me ekspertë vlerësues pasurie, për përcaktimin e vlerës së tregut të elementeve të pasurisë të shoqërisë. Ekspertët vlerësues të pasurisë emërohen nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Pagesa e tyre bëhet sipas dispozitave ligjore në fuqi.

6. Të ardhurat e realizuara nga likuidimi, si: shitja e aseteve; arkëtimi i debitorëve, të ardhura e fitime të tjera, do të shërbejnë për shlyerjen e kreditorëve të shoqërisë sipas përcaktimeve në Kodin Civil.

7. Likuidatori nuk mund të lidhë kontrata dhe nuk mund të shesë me mirëkuptim, pa autorizim nga Ministri i Ekonomisë,Tregtisë dhe Energjetikës. Në publikimin për shitje të pasurisë së shoqërisë në likuidim do të përfshihen edhe objektet e dhëna me qira, përpara datës së shpalljes së shoqërisë në likuidim.

8. Llogaritë vjetore depozitohen në formën dhe në afatet e zakonshme të parashikuara nga ligji nr.7661, datë 19.01.1993 “Për kontabilitetin”.

9. Çdo 3 muaj likuidatori raporton mbi gjendjen e aktivit dhe të pasivit të shoqërisë, duke dhënë llogari mbi ecurinë e operacioneve të likuidimit dhe kohën e nevojshme për përfundimin e tyre. Pjesë e raportimit të jenë:
- Shitjet e realizuara me vlerat sipas kontabilitetit dhe çmimeve të shitjes.
- Veças aktivet e qëndrueshme dhe veças aktivet qarkulluese, shoqëruar me kontratat e shitjes.
- Pagimin e kreditorëve (dokumente justifikuese).
- Arkëtimin e debitorëve (dokumente justifikuese).
- Situacionin e shpenzimeve të kryera (paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative).
- Përcaktimin e rezultatit të likuidimit për periudhën përkatëse.

10. Kur operacionet e likuidimit kanë përfunduar, likuidatori harton bilancin financiar përfundimtar të likuidimit i cili do të shoqërohet me raportin e ekspertit kontabël të autorizuar për vërtetimin e llogarive përfundimtare të likuidimit.

11. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendos për llogaritë përfundimtare të likuidimit. Ai ngarkon likuidatorin për depozitim të llogarive prane Regjistrit Tregtar të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, dhe marrjen e vendimit për mbylljen e likuidimit dhe çregjistrimin e shoqërisë.

12. Anulohen të gjitha miratimet e privatizimit, për të cilat nuk ka filluar procedura e përgatitjes së dokumentacionit të vlerësimit, që kanë dalë para datës së shpalljes së shoqërisë në likuidim.

13. Udhëzuesi nr.6279, datë 11.10.2004, dhe nr.7564, datë 8.12.2004 i Ministrisë së Ekonomisë, shfuqizohet.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS Genc Ruli

Botuar në Fletoren Zyrtare nr.92, faqe 2965